Dëshmitari Kurtaj: Askush nuk më ka thënë se libri ka gabime
Në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj, ka deklaruar se askush nuk i ka thënë ndonjëherë se libri i tij ka gabime.
Këtë deklarim, Kurtaj e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth asaj se a i ka thënë dikush se libri i tij ka gabime, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurtaj po vazhdon të ballafaqohet me pyetjet e Prokurorisë rreth citateve nga libri i tij, si dhe me deklaratat e mëhershme të dhëna nga dëshmitari lidhur me librin.
Në pyetjen e prokurorit James Pace se në një deklaratë të dhënë në shkurt të vitit 2020 pasi ishte pyetur se a ka përfshirë të pavërteta në libër, Kurtaj ka thënë se nuk është i sigurt nëse kishte thënë se nuk ka përfshirë të pavërteta.
Dëshmitari është pyetur edhe për policinë ushtarake që ka vepruar brenda Brigadës 162.
Ai ka thënë se përgjegjës i Policisë Ushtarake ka qenë Xhabir Elezi, i cili sipas tij nuk ka marrë urdhër nga ai (dëshmitari), por nga komandanti i brigadës.