Dëshmitari Mark Shala merret në pyetje edhe nga mbrojtësi i viktimave
Ka përfunduar për ditën e martë seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës në të cilën ka dëshmuar dëshmitari Mark Shala.
Përveç Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes prokurores, Gaia Perlogo, dëshmitari Shala u morë në pyetje edhe nga mbrojtja e viktimave përmes avokatit Simon Laws.
Prokurorja Pelogo gjatë kohës sa po e merrte në pyetje dëshmitarin Shala ia prezantoi edhe një dokument i vitit 1999 i cili u tha se ishte urdhër i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Azem Syla i cili përcaktonte rolin e dëshmitarit në operacionin “Shigjeta”.
Dëshmitari pohoi se ky dokument dhe data e tij përputhen me ngjarjet për të cilat ai kishte dhënë dëshmi.
Avokati Laws pyeti dëshmitarin se ku janë trajtuar personat të cilët janë lënduar dhe si ka shkuar i gjithë procesi për ofrimin e shërbimit mjekësor.
“Rastet e rënda në Tiranë tash varët edhe nga lëndime, për ato raste kanë vendos grupet mjekësore që i kanë trajtu. Për disa ndoshta është thënë që të shkojnë sa më shpejtë. Ka pas raste që disa individ të transportohen me helikopter nga Kukësi në Tiranë. Në rastet kur kanë qenë me të lehta ka pas raste kur janë transportu me autoambulanca”, tha Shala.
Ndërsa i pyetur se si janë koordinuar komunikimet me Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe spitaleve, Shala tha se përmes radiolidhjeve dhe telefonave satelitor.
“Sa i përket Spitalit në Kukës nëpërmes radiolidhjeve. Me spitalin në Tiranë nëpërmes telefonave. Në atë kohë kemi pas telefona satelitor të cilët i kemi përdor dhe ka pasur që janë përdorë prej organeve shëndetësore”, tha dëshmitari Shala.
Avokati Laws pyeti edhe për materialët të cilat i kanë pasur në depon e uzinës në Kukës si dhe për prejardhjen e tyre.
“UÇK nuk ka pas vetëm një burim, ose një bazë. I ka pas të gjitha materialet që i ka pasur një ushtri e rregullt. Ka pas materiale që kanë ardhur nga donacioni, nga shtetet e ndryshme, nga shteti shqiptar. Mirëpo një sasi e konsiderueshme është ble edhe në tregun e lirë në Shqipëri”, tha Shala duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të viktimave.
Për furnizim me këto materiale, Shala tha se është përkujdesur edhe mërgata shqiptare.
“Mërgata shqiptare jeton gati në të gjitha shtetet evropiane dhe shumica prej tyre janë marrë me ato punë dhe kanë mbledh donacione të ndryshme dhe me kamiona janë sjellë në Shqipëri përmes Italisë dhe përmes anijeve në Durrës. Kanë ardhur donacione edhe për popullatën. A është e saktë që ka pas raste që njerëzit vinin me pajisje që i kishin me vete dhe kishin ble se çka kishin mujt me ble nga vendet që vini. Varet prej cilit shtet kanë ardh. Ka pas shtete që kanë leju që të pajiset me pajisje ushtarake, mirëpo ka pasur shtet që nuk kanë leju sepse është dashur që të kalohet kontrolla në kufi dhe varet prej cilit shtet ka ardh”, tha Mark Shala.
Ndërsa lidhur me jelekët antiplumb, Shala tha se në depo nuk kanë pasur si dhe në përgjithësi kanë pasur shumë pak që i kanë përdorur pjesëtarët e UÇK-së.
Kujtojmë se kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia njoftoi se edhe ditën e nesërme do të vazhdojë dëshminë e tij dëshmitari Mark Shala.
Këtë dëshmitarë pritet që nesër ta marrë në pyetje trupi gjykues.