Dëshmitari mohon të ketë dëgjuar për formimin e gjykatës ushtarake në UÇK dhe obligimin e Thaçit për mbikëqyrjen e saj
Dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), diplomati austriak Jan Kickert, ka mohuar se ka dëgjuar për formimin e një gjykate ushtarake në UÇK dhe se shef i saj të jetë personi i quajtur Sokol Dobruna.
Gjithashtu, dëshmitari ka mohuar se e dinte që puna e Hashim Thaçit ka qenë që të mbikëqyrë funksionimin e kësaj gjykate ushtarake.
Ndërsa, i pyetur lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në procesin politik e sidomos gjatë marrëveshjeve që dolën nga ky përfaqësim, dëshmitari ka thënë se LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së.
“LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së. Në fillim madje mohuan edhe ekzistencën e UÇK-së. Ne po ashtu kishim FARK-un, grupin e armatosur që financohej nga LDK-ja dhe qeverinë e tyre në ekzil. Pra, kishte përplasje, fërkime politike, por besoj që këto fërkime ishin edhe në terren”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari ka shtuar se LDK-ja e shihte UÇK-në si kërcënim të monopolit të tyre politik.
Gjithashtu, dëshmitari ka thënë se gjatë procesit të marrëveshjes së Rambujesë, kishte presion mbi Thaçin pasi komandantët e zonave nuk pajtoheshin me këtë marrëveshje. Krahas kësaj, dëshmitari ka pohuar se Thaçi nuk e kishte autoritetin që të nënshkruante në emër të UÇK-së. /