Dëshmitari në rastin e ‘Calit’ kërkon të dëshmojnë Ismet Beqiri dhe Shefki Gashi
Dëshmitari Selatin Krasniqi, në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës në kohën e luftës.
Dëshmitari Selatin Krasniqi, në rastin ndaj ish-komandantit të njësitit BIA të UÇK-së, Salih Mustafës, ish-komandant “Cali” në Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe në dëshminë e sotme ka mohuar të ketë pasur ndonjë kamp ndalimi në Zllash të Prishtinës në luftën e fundit.
I pyetur nga avokati mbrojtës se prokuroria parashtron se janë mbajtur njerëz brenda disa ndërtesave në Zllash, Krasniqi tha se “nuk mund të thotë askush që ka pasur njerëz të ndaluar aty”.
Më tutje, dëshmitari Krasniqi u pyet edhe nëse është takuar me anëtarë të prokurorisë së ZPS-së vitin e kaluar. Ndërsa, ai u përgjigj se është takuar, duke shtuar se njëri nga ata që e ka takuar ishte në sallën e gjyqit.
“Më ka thirr një Cezar, dhe më ka kërkuar që të dalim në vendin ku po pretendojnë ata se janë mbajtur njerëz. Ishin tri makina, nuk e di sa persona kanë qenë. Më duket se po, një ka qenë që është sot këtu”, është shprehur Krasniqi.
I pyetur se gjatë takimit me prokurorinë, a ka dhënë ndonjë indikacion që në atë zonë ka pasur përpara një qendër ndalimi, Krasniqi tha se këtë nuk e ka bërë teksa shtoi se prokurori e ka thirrur tri herë djalin e tij, ndonëse sipas tij, djali është 15-vjeçar.
“Më ka thirr prokurori pas një kohe, pasi kam qenë dëshmitar i mbrojtjes, por s’kam pranuar. Tri herë ma ka thirr djalin, ai është 15-vjeç, një herë që ta verifikojnë numrin, e dy herë të tjera nuk e di pse”, ka thënë ai.
Gjatë dëshmisë së tij, Selatin Krasniqi është pyetur edhe rreth deklaratës së djeshme, se çfarë e kishte shtyrë t’i kujtohet data 17 prill.
“Uran Ismaili është në PDK. Ka shkuar t’i vizitojë varrezat në fshatin Marec dhe mu kujtuan ngjarjet e 17 prillit”, ka thënë Krasniqi.
I pyetur se a ka qenë ndonjëherë në politikë, Krasniqi ka thënë se deri në vitin 2000 i gjithë Zllashi ishte me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa pas këtij viti ata u shpërndanë politikisht.
Ai është pyetur edhe nëse në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte dallime mes personave që ishin anëtarë të ndonjë grupimi politik, ku këtu, Krasniqi ka përmendur dy nga themeluesit e degëve të LDK-së, Shefki Gashin dhe Ismet Beqirin, ku i ka bërë ftesë mbrojtjes që t’i thërrasin edhe këta të dy si dëshmitarë për këtë.
“I gjithë fshati Zllash kemi qenë me LDK-në. Themeluesi i LDK-së, Shefki Gashi është i Mramorit. Ismet Beqirin e kam në lagje, e ka pasur edhe shumë të tjerë të LDK-së aty, por s’ka pasur asnjë dallim. Qëllimi ka qenë i njëjtë, ta çlirojmë Kosovën. Nëse i keni mundësitë, thirrni edhe ata dëshmitarë këtu, Shefkiun, Ismet Beqirin”, ka thënë Krasniqi.