Dëshmitari në rastin e Pjetër Shalës: E maj men dajakun se ushqimin e kishin harru krejt
Në seancën e së martës në rastin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), dëshmitari i shtatë (me kodin 1), ka thënë se ‘‘veç e maj men dajakun se ushqimin e kishin harru krejt’’, kur është pyetur se çfarë ushqimi iu kishin dhënë në shtabin e Kukësit.
Këtë deklarim, dëshmitari e dha duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ku paraprakisht tha se kishte ngrënë ushqim aty vetëm një herë në javë ose një herë në dy javë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Kurse, në lidhje me ujin e pijshëm, ai tha se i linin 3-4 shishe në dhomë, por që ato nuk i dilnin askujt pasi që kishin qenë 8 deri në 12 persona në atë dhomë.
‘‘Varet kur dojshin me na dhanë, u varke prej tyre’’, tha ai kur u pyet se a mund të kërkonin që t’i mbushnin shishet me ujë.
Fillimisht, dëshmitari tha se në dhomën ku ai ishte mbajtur, dyshemeja kishte qenë e betonuar dhe se nuk kishte pasur mobilie.
Ai tha se 2-3 ditët e para kishin pasur batanije dhe më pas ato iu ishin marrë nga ushtarët me arsyetimin sipas tij se ‘pse të kishin diçka të butë spiunat’.
Tutje, i njëjti tha se dy dritaret e asaj dhome kishin pasur xham, por që kishin qenë me hekura.
Ndërkaq, seanca kaloi në sesion privat kur prokurori Filippo De Minicis pyeti dëshmitarin nëse i kujtohet identiteti i ndonjërit prej personave që ishte mbajtur në dhomë me të.
Dëshmitari i shtatë bën përshkrimin e shtabit të Kukësit në rastin e Pjetër Shalës
Dëshmitari i shtatë (me kodin 1) në rastin e Pjetër Shalës, gjatë dëshmisë së tij ka përshkruar shtabin e Kukësit duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ai në të njëjtën kohë përmes një vizatimi të bërë më parë ka identifikuar objekte me shkronja siç iu është kërkuar nga prokurori Filippo De Minicis, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Duke përshkruar shtabin e Kukësit kur ai kishte shkuar në maj të vitit 1999 dhe në të kishte takuar Pjetër Shalën, dëshmitari tha se kishte qenë porta kryesore dhe përballë në oborr kishte qenë magazina e gjatë dhe një katëshe.
Tutje ai tha se magazina ka qenë e ndarë në magazinën e uniformave dhe të ushqimit, kurse nga hyrja e shtabit, në anën e majtë kishin qenë zyret dhe në fund kuzhina, kurse ka ana e djathtë dhomat.
Dëshmitari në vizatimin e prezantuar (jo për publikun), shënoi me shkronjën A vendin e derës kryesore të shtabit, me shkronjën B magazinën e uniformave ku edhe kishte takuar Pjetër Shalën, me shkronjën C vendin e shënuar si kati II dhe shtabi kurse me X shënoi vendin se ku e kishte kaluar natën e parë.
I pyetur se çfarë kishte bërë në ditën e dytë, ai tha se kishte ndenjur me të njëjtit njerëz, me Pjetër Shalën, disa policë ushtarakë dhe edhe një ushtarë tjetër si dhe nga mbrëmja kishin luajtur letra.
Ndërkaq, kur u pyet se a kishte parë persona të tjerë në magazinën e uniformave tha se një pjesën që lidhte dy magazinat i kishin treguar se janë të arrestuar 3 romë, por që tha se ata i kishte parë tek në ditën e tretë.
Për t’i freskuar kujtesën dëshmitarit lidhur me të dhënat shtesë për herën e parë që i ka parë këta persona, prokurori kërkoi që të përdorej deklarata e tij e mëhershme e që u lejua nga trupi gjykues, por që më pas seanca kaloi në sesion privat.
Kurse, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitarit me kodin 1, pritet që pjesa më e madhe e dëshmisë së tij të jepet në si dëshmi private.
Tutje, ajo tha se paneli më pas do e rishikojë dëshminë dhe do vendos se cilat pjesë do të mund të publikohen për publikun.