Dëshmitari: Rrushe dhe Latife Kolollin i vranë forcat serbe
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë në rastin e liderëve të UÇK-së, dëshmitari Nuredin Abazi, ka thënë se Latife dhe Rrushe Kolollin i kanë vrarë forcat serbe, pasi që trupat e tyre janë gjetur në një zonë ku vazhdimisht ka pasur patrullime nga ata.
Dëshmitari ka thënë se vendi ku janë gjetur këto dy gra, ka qenë vend i rrezikshëm për të pasur qasje UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jo. Unë kam e kuptuar tek pas luftës se ato janë gjetur në një udhëkryq, në udhëkryq të cilin vazhdimisht patrullonin policia dhe ushtria e Serbisë, me autoblinda… I kanë vrarë forcat serbe se ka qenë e pamundur që me hy ne si ushtri. Ka qenë vend tejet i rrezikshëm. Kur janë gjetur trupat e tyre, se pas luftës kam dëgjuar, ka qenë tejet e rrezikshme me u afruar aty ne sepse ai vend ka qenë gjithmonë me autoblinda e tanke të Serbisë”, ka thënë dëshmitari Abazi.
Abazi ka thënë se ka dëgjuar se trupat e këtyre grave janë gjetur në rrugën kryesore Suharekë-Prizren.
“Sa e di unë ato janë gjet afër Leshanit, rrugës kryesore që shkon për Suharekë-Prizren. Rruga që shkon për fshatin Leshan aty është udhëkryqi, njëfarë ishulli. Aty kam dëgjuar që janë gjetur, se as nuk i kam parë”, ka thënë dëshmitari Abazi.