Dëshmitari Shala thotë se ka qenë ish-pjesëtar i armatës së ish-Jugosllavisë, Kroacisë dhe i UÇK-së

23 tetor 2023 | 12:20

Dëshmitari i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Mark Shala, në seancën e së hënës ka deklaruar se ka qenë ish-pjesëtar i armatës së ish-Jugosllavisë, pas kësaj ka kaluar në armatën e Kroacisë para se të kyçet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në pyetje këtë dëshmitarë është duke e marrë mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit Mohamed Hedi Aouini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mark Shala ka thënë se është ushtarak i shkolluar në akademinë ushtarake në Beograd, të cilën pastaj e ka vazhduar në Sarajevë. Aktualisht, dëshmitari Shala mban dy nënshtetësi, atë kroate dhe të Kosovës.

Ai ka thënë se ka qenë pjesëtar i ushtrisë së ish-Jugosllavisë deri në vitin 1991.

“Deri në vitin 1991 kam qenë si pjesëtar i ushtrisë së Jugosllavisë, por në ato kohë kanë filluar luftimet këto. Kroacia ka qenë e sulmuar nga ushtria jugosllave dhe serbe dhe atëherë unë e kam braktisur armatën jugosllave dhe kam kaluar në armatën e Jugosllavisë”, ka thënë Shala.

Pastaj, dëshmitari ka treguar se si i ishte bashkuar ushtrisë kroate.

“Fillimisht pasi e kam braktisur armatën jugosllave diku kah fundi i muajit të tetë 1991, për një kohë kam shkuar për ta laruar familjen time që një kohë ka qenë në Kosovë që ka qenë bashkëshortja ime dhe vajzat se kanë qenë të rrezikuar aty. Unë nuk e kam lëshuar armatën jugosllave me vetëdëshirë sepse unë kam qenë i kërkuar. E kam marrë familjen dhe përmes Shkupit i kam dërguar deri në Zvicër. Kur e kam dërguar familjen në Zvicër… kam rënë në kontakt me disa eprorë dhe jam marrë vesh që të kthehem në vijën e Kroacisë dhe pas tre muajve iu kam bashkëngjitur ushtrisë së Kroacisë diku afër vitit 1992”, ka thënë dëshmitari Shala.

Ai ka thënë se në ushtrinë kroate ka shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 1999. “Ushtrinë e Kroacisë e kam ndërprerë në atë moment kur me është kërkuar apo kur janë bërë kushtet që ta lëshojë atë armatë dhe t’i bashkëngjitëm Ushtrisë Çlirimtare. Jam liruar nga armata e Kroacisë me gradën nënkolonel”, ka thënë ai.

Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala ka thënë se i është bashkuar në muajin mars të vitit 1999.

“Kjo ka qenë diku kah fundi i muajit mars 1999. Data saktësisht mundet me qenë 26, diçka qashtu. Nga Kroacia kam udhëtuar për në Slloveni, në Lubjana. Në Lubjanë jam takuar me disa kolegë të mi që kishin vendosur që t’i bashkohen UÇK-së dhe nga Lubjana kemi udhëtuar për Tiranë – Shqipëri”, ka thënë ai.

Dëshmitari Shala ka thënë se në Tiranë është takuar me njerëz nga UÇK-ja ku edhe ka filluar kyçja e tij në ushtri.

“Në Tiranë ishte si e vetmja mënyrë me udhëtu nga Lubjana në Tiranë. Në Tiranë jemi takuar edhe me njerëz të tjerë nga UÇK-ja, aty ka filluar edhe kyçja ime e shokëve të mi. Jemi takuar edhe me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së të shtabit dhe aty ka filluar kyçja ime në UÇK. Në disa ditë kemi qenë aty të vendosur, banesë apo një hotel të vogël dhe kemi pritur një ekip, i cili ka pas me ardhur nga Kosova, nga terreni, nga vatra e luftës me planin e luftës apo të operacionit shigjeta, aty i kemi pritur dhe deri sa kanë ardhur ata, aty ka zgjatur 6-7 ditë”, ka thënë dëshmitari Shala.

Pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala ka thënë se ka punuar edhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot bëhen 13 vjet kur u nda nga kjo botë…