Dëshmitari thotë se i akuzuari Joliq e kishte torturuar bashkë me disa të tjerë

25 mars 2025 | 19:07

Në seancën e rigjykimit të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në gjykimin ndaj të akuzurit për krime lufte në Istog, Çaslav Joliq, dëshmitari Zef Malësia tha se ishte Joliq së bashku me katër persona të tjerë që gjatë luftës, më 23 mars 1998, e kishin maltretuar me shqelma dhe boksa për rreth 20 minuta.

“Më kanë kapë njëri dorën, Joliqi dorën e djathtë dhe të majtën Dule Peqinoviqi në prezencë të gazetarëve dhe tre tjerë më kanë gju me të rame mas shpinës dhe ka zgjatë ajo torturë 20 minuta. Njëri është rrëzu tu më gju me shkelma ku i rrëzuari ka qenë Çaslav Joliq dhe u çu me një distancë, me një vrap më ka goditur në kokë me grusht dhe unë jam rrëzu”, tha Malësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me këtë rrethanë, i ballafaquar nga mbrojtësi i të akuzuarit Joliq, avokati Miodrag Bërkljaq, se përse në Polici ka deklaruar se është goditur më së forti nga Dule e jo Joliq, dëshmmitari tha se ka mundur të jetë shkruar gabimisht nga Policia.

Malësia pohoi se gjatë atyre 20 minutave torturë, i akuzuari e kishte goditur edhe herë të tjera.

“Po more nga të gjitha anët”, deklaroi Malësia.

Ai tha se e kishte identifikuar Joliqin pasi që e ka pasur fqinj, e që në pyetjen e vetë të akuzuarit se a njeh dikë tjetër nga anëtarët e familjes së të akuzuarit, Malësia tha jo.

Për këtë, Joliq reagoi duke thënë se si ka mundësi që atë e njeh ndërsa nënën e babanë nuk ia njeh derisa thotë se i ka pasur fqinj.

Po ashtu, Malësia sqaroi se dhe një maltretim tjetër që e ka pasur nga i akuzuari Joliq ishte sa kishte shkuar në stacionin policor që ishte në fshatin Gurakoc të Istogut, e që tha se Joliq e kishte goditur me shqelma këmbëve sa ishte ulur në stacion brenda.

Maliësa deklaroi se paraprakisht me Joliqin nuk kishte probleme fqinjësore dhe se gjatë kohës së luftës ishte veshur me rroba të ushtrisë.

Gjithashtu, në këtë seancë dëshminë e dha edhe Naim Ferati, i cili rrëfeu maltretimin që i ishte bërë nga dy persona, e që deklaroi se e kishin rrahur dhe më pas e kishin ngrehur zvarrë për rreth 200 metra.

Ferati, për të akuzuarin Joliq tha se herën e parë që e ka parë ishte kur ka ardhur në gjykatë dhe se nuk e ka njohur më herët, për avokati Bërkljaq tha se është i befasuar se pse është ftuar të japë dëshminë Ferati kur nuk njeh Joliqin në asnjë moment.

Më pas, seanca u ndërpre me përfundimin e orarit të punës për të vijuar ditëve në vazhdim me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Ndryshe, më 10 qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar të pandehurin Joliq, me 8 vite burgim për krime lufte në qytetin e Istogut. Por, Gjykata e Apelit më 4 nëntor 2024, rastin ndaj tij e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtëpia e Bardhë sapo ka publikuar dy përmbledhje të bisedimeve…