Dëshmitari thotë se Salih Mustafa dy herë në prill të vitit 1999 ishte në shtëpinë e tij në Barilevë
Dëshmitari i shtatë i mbrojtjes, Nazmi Verbovci, ka thënë se në prill të vitit 1999, Salih Mustafa ishte dy herë në shtëpinë e tij në Barilevë.
Këtë deklaratë, ai e ka bërë të mërkurën në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë, gjatë kohës kur po i parashtroheshin pyetje nga avokati Betim Shala.
Fillimisht, ai ka deklaruar se gjatë vitit 1999 ka jetuar në fshatin Barilevë, ku jeton edhe ditët e sotme.
Ai ka thënë se gjatë marsit dhe prillit të vitit 1999, si në çdo vend në Kosovë, nuk ka qenë situata e mirë e sigurisë as në Barilevë, ku tha se kishte luftime dhe është dashur të angazhohen të gjithë që kishin vullnetin e mirë.
“Formuam grupet tona, njësitet tona për mbrojtjen e popullatës, strehimin e popullatës, sidomos në fshatin tonë, në lagjen tonë ‘Verbovci’, në fshatin Barilevë. Unë aty kam qëndruar gjithë kohën”, ka thënë Verbovci.
Sipas tij, njësia është grup prej 10, 20 apo 30 personash, kështu që janë angazhuar bashkëfshatarët dhe kanë pasur të vetmin qëllim që të ruajnë popullatën nga grupet paramilitare serbe.
“I vetmi kalim në zonën e Llapit ka qenë në lagjen tonë. Ne jemi vendosur aty me kaluar popullatën. I vetmi kanal ka qenë me kaluar zona e Llapit në fshatin tonë. Kemi bërë roje, kemi vëzhguar ku ka ndalime të vendosura nga policia serbe dhe ushtria. Na i kemi pasur këto detyra. Njerëzit kanë ardhur prej anës së Llapit janë vendosur ku ne i themi një livadh mes dy kodra, aty kanë pushuar njerëzit deri në mbrëmje për me i kaluar në anën e kundërt, me kaluar Vranidollin”, ka thënë ai.
Ai tha se ka pasur përgjegjësi vetëm në lagjen dhe shtëpinë e tij.
“Ata njerëz kanë qenë civil, pleq, plaka dhe fëmijë. Aty kanë qenë zona e Gollakut, unë nuk kam pasur obligim ta dijë ku po shkojnë se kanë qenë njerëz pleq, plaka dhe fëmijë. Unë kam dijeni që kanë mundur me dal vetëm në Vranidoll e aty nuk di. Ata e kanë zgjedhur rrugën e vet se kurrkush nuk ka mundur me i obliguar anej a knej”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari Verbovci ka thënë se njësia është krijuar në mars-prill 1999, ndërsa ka bërë me dije se idenë për krijimin e njësive nuk e di kush e ka dhënë, por që me siguri kanë qenë eprorët që kanë udhëhequr luftën, të cilët kanë dijeni më shumë. Ai ka thënë se ka dijeni vetëm për lagjen e tyre.
Më tutje, ai ka thënë se ka bashkëpunuar me njerëz të besueshëm sepse koha ka qenë e papërshtatshme pasi është duhur në mënyrë ilegale të punohet.
“Ne kemi pasur bashkëpunim me njerëz epror, njerëz të ideales. Me ata njerëz kemi filluar, kemi punuar dhe krijuar njësitin e Barilevës”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, Barileva ka pasur një njësi në lagjen e “Llumnicëve” dhe një në shtëpinë e tij, në lagjen “Verbovci”.
Ai ka thënë se në njësinë e Verbovcëve kanë qenë prej 10 -20 persona në shtëpinë e tij dhe se ai personalisht ka qenë në njësinë e lagjes “Verbovci”, ku një herë ka qenë në njësinë e lagjes së “Llumnicëve” e më pas është dashur të kaloj në lagjen tjetër.
“Ma përgjegjës ka qenë shoku im i ngushtë që ka qenë veprimtar i hershëm, Isuf Shalaku. Çdo herë e kemi quajtur shok ose komandant, prandaj u shpreha komandantë kemi qenë të gjithë, ama një ka qenë normal”, ka thënë Verbovci.
Ai ka thënë se Shalaku nuk ka qenë i Barilevës, por ka ardhur t’i ndihmojë dhe ka qenë i fshatit Shkabaj, i cili është diku 15 km larg fshatit Barilevë.
Dëshmitari ka thënë se Isuf Shalakun e kanë llogaritur si komandant, e se ka qenë përgjegjës i tyre, kurse koordinator tha se ka qenë vet ai.
Më tutje, ai ka thënë se Shalaku në Barilevë ka ardhur në muajin mars drejt në shtëpinë e tij.
Verbovci ka thënë se edhe në vende të tjera të Barilevës ka pasur njerëz të vendosur, pasi ky fshat i ka diku 10 lagje.
“Në mars kanë hy forcat policore mes Barilevës, kanë vazhduar në fund të Barilevës dhe kanë shkuar kanë vra një profesor i quajtur Selim Berisha. Kur e kam dhënë emrin e kam harruar emrin, ai është Selim Berisha, ish-arsimtar, ai është vra në shtëpinë e vet dhe aty ka filluar me u prish situata në fshatin Barilevë”, ka thënë dëshmitari Verbovci, duke shtuar se kjo ka ndodhur diku në gjysmë të dytë të marsit në vitin 1999.
Sipas tij, ky person ka qenë i vetmi i vrarë, e ka pas keqtrajtime lloj-lloj.
“Ishte edhe një me cek, ndoshta s’bon publik me cek, unë vetë se kam parë, aty ka pas sene të këqija të forcave serbe”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se përmes pikës se kalimit ka pasur lëvizje edhe të ushtarëve të UÇK-së, ku ka pasur kontakt me ta pasi të gjithë kanë kaluar përmes tij. Sipas tij, ka pasur ushtarë që kanë qëndruar në Barilevë, në lagjen e “Llumnicëve” dhe “Verbovcëve” e ka pasur nga ata që vetëm kanë kaluar.
“Në lagjen e ‘Llumnicëve’ ka qenë njësiti në shtëpinë e Isuf Llumnicës, te djemtë e Isuf Llumnicës, Kemajl Llumnica ka qenë edhe ushtar, edhe i ka pas në shtëpi. Kurse, në lagjen e ‘Verbovcëve’, në shtëpinë e Shaban Verbovcit që është baba im”, ka thënë ai.
Dëshmitari është pyetur për kohën kur ka ndenjur me Salih Mustafa në dhomë dhe se a ka pasur njerëz të tjerë në shtëpi. Duke u përgjigjur në këtë pyetje, ai ka thënë se kanë qenë familjarët e tij.
Sipas tij, kanë pasur armë të thjeshta, pushkë automatike dhe se kanë përdorur edhe pushkë gjuetie, kallashnikov, të cilat i ka konsideruar të lehta.
“Me këto armë e kemi përfunduar ne luftën”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk kanë pasur mjaftueshëm municion dhe se plumbat i kanë ruajtur sikurse e sytë.
Ai ka thënë se në Barilevë kanë qenë gjithsej 11 të vdekur, nga ta tre dëshmorë, ku të gjitha këto vdekje kanë ndodhur në mars-prill të vitit 1999 dhe se të gjithë kanë qenë nga ky fshat.
Më tutje ai ka thënë se personi i dymbëdhjeti i vrarë ka qenë edhe Nexhmi Kaçiu i fshatit Lupç që ka qenë duke qëndruar të një dhëndër i tij. Ai ka thënë se ai është vrarë më 12 prill të vitit 1999.
“Në atë kohë me 12 prill pasdite në orën diku 3 e gjysmë ose 4 ka qenë na kanë ardhur pas shpine forcat serbe policore ushtarake. Kam qenë me ushtarë në shtëpinë time, pas shpine na kanë ardhur malit dhe na kanë zënë në befasi. I kanë marr disa njerëz si peng në mbrojtje të tyre, u alarmuan që hynë serbët, ushtarët prej shtëpisë time kanë dal janë pozicionuar. Unë kam qenë i pozicionuar në shtëpinë time, ën oborrin tim, por nuk erdhën tek unë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kanë filluar më pas luftimet.
“Ata në tërheqje e kanë vrarë Bedi Kurtollin dhe Nexhmi Kaçiun, në ikje. Fatin e kanë pas edhe tre të tjerë që i kanë rreshtuar, të cilët janë gjuajtur nga prapa dhe kanë shpëtuar. Bedriun e kanë korrë kallash dhe ka mbet i vdekur, në ikje e kanë vrarë edhe Nexhin”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka shtuar se atë ditë ishte plagosur edhe kushëriri i tij, Adem Verbovci, 70 vjeçar.
Dëshmitari Verbovci ka deklaruar se në shtëpinë e tij e ka parë Salih Mustafën dhe atë në fillim të prillit 1999.
“A ka qenë 1 a po 2 prill, më e theksuar kjo datë dhe së fundi 20 dhe 21 prill dhe më nuk e kam pa kurrë, veç pas lufte në çlirim”, ka thënë ai.
Verbovci ka thënë se herën e parë kur e ka parë Mustafën ka pushuar shumë pak, “është përshëndetur me Isuf Shalakun dhe ka vazhduar, por se nuk e di se ku ka shkuar. Kurse, shtoi se aty ka qenë vet i treti, me të cilët persona edhe është larguar”. Ai ka thënë se Mustafa i kujtohet edhe më dhe pa uniformë.
Sipas tij, herën e parë kur e ka parë Mustafën, ky i fundit ka pasur uniformën e veshur. I pyetur se çfarë uniforme ka pasur vesh, dëshmitari ka thënë: “qito uniformat që i kemi pas laramankat”.
Verbovci ka thënë se Mustafa çdo herë ka shkuar në këmbë në Barilevë pasi nuk ka mundur të kaloj me automjet andej nga forcat serbe.
“Me Isuf Shalakun vetëm në shtëpinë time i kam parë, tjetër kund nuk i kam parë bashkë”, ka thënë dëshmitari.
Për Shalakun, ai ka thënë se ka pasur mjet transportues, ku e ka pasur në oborrin e dëshmitarit një “Golf 2”.
Lidhur me herën e dytë që e ka parë Mustafën dhe ka dal nga shtëpia e dëshmitarit, ky i fundit ka thënë se vetëm e dinë se nga shtëpia e tij ka dal për në Vranidoll, e më tutje ka theksuar se nuk ka njohuri.
Dëshmitari ka thënë se pas luftës e ka kuptuar se ka qenë një njësit i quajtur “BIA”.
“Nuk jam kanë i interesuar. Jam kanë i interesuar vetëm për popullatë, bashkëfshatarët e mi. Më tutje nuk di e as nuk kom njohuri”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se në kohën kur e ka takuar Mustafën, nuk e ka ditur se cilit njësit i takon, por e ka ditur vetëm brigadën “151 Zahir Pajaziti”.
“Ne një emër e kemi pasur: UÇK”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka pasur rëndësi njësiti apo brigada./BetimipërDrejtësi/