Dëshmitari Verbovci: Sali Mustafa ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, e kam adhuruar

06 prill 2022 | 18:19

Dëshmitari i shtatë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Nazmi Verbovci ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues, derisa e ka pohuar se është takuar me Mustafën në vitin 1999.

“Është 1 prill kur ka kaluar, ka ardhur nga shtëpia ime, ka vazhduar më tutje, ku ka shkuar nuk e di, është kthyer më 2 prill. Qëndroj prapa kësaj, goxha i vendosur jam, nuk e ndërroj hiç. Unë e marr përgjegjësinë nëse kam gabuar diçka, por nuk kam gabuar”, ka thënë Verbovci.

“Salih Mustafa ka qenë i njohur për neve, është një veprimtar i çështjes kombëtare dhe ne adhurojmë këta njerëz që janë për çështje kombëtare. Ka qenë i burgosur, unë e kam njohur. Ky mua nuk ka mund të më njohë, unë e kam adhuruar këtë njëri”.

Dëshmitari ka konfirmuar që gëzon statusin e veteranit të UÇK-së në të cilin thuhet se ishte pjesë e njësisë BIA.

Ndërsa në pyetjen e prokurorit se cili ishte roli i Salih Mustafës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari ka thënë se për këtë duhet të pyetet vetë ai.

“Pyete Salihun, u tregon ai. Unë nuk e di çfarë roli ka pasur, unë vetëm e njoh si aktivist, një veprimtar i shquar, i burgosur politik, kam nderin që e shoh me sy tash”, ka thënë Verbovci.

“Me Salih Mustafën nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie kurrë, e kam nderuar që ka qenë qysh ka qenë veprimtaria e tij, e nderoj prapë, kontakte, biseda nuk kam pasur kurrë. Në shoqëri kemi biseduar, jemi përshëndetur, më tepër kurrë, asnjë fjalë nuk e kam pasur”, ka thënë ai.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë të hënën më 11 prill.

Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, pati njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj Mustafës, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
07.04.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…