Dëshmitari: ZPS-ja s’ka ndjekur praktikat më të mira të procedurave në OVL-UÇK

24 janar 2022 | 12:40

Dëshmitari ekspert, Robert Reid, i cili po dëshmon sot në gjykimin ndaj udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Hagë, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndjekur praktikat më të mira të procedurave gjatë operacioneve në zyrat e organizatës në shtator të vitit 2020. Reid, i cili ka qenë shef i operacioneve në zyrën e Prokuronit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, ka thënë se në rastin OVL-UÇK, prokuroria nuk i ka ndjekur udhëzimet e punës që janë përdorur në TPNJ.

Reid është dëshmitar ekspert i mbrojtjes së Nasim Haradinaj dhe ai është përgjigjur në pyetjet e avokatit, Toby Cadman.

Camdan e ka pyetur atë për operacionet e ZPS-së më 8, 17 dhe 22 shtator në zyrën e OVL-UCK.

Sipas dëshmitarit, këto operacione nuk janë kryer mbështetur në standardet e duhura dhe efektive. “Jo unë nuk besoj që ata kana ndjekur praktikat më të mira të procedurave, nuk mendoj që ata kanë ndjekur standardet, procedurat dhe udhëzimet e standardet e punës që ne kemi përdorur në TPNJ”, ka thënë dëshmitari ekspert.

Dokumentet që i ka parë, Reid ka thënë se nuk janë të përpunuara sipas zinxhirit të ruajtjes, ndërsa prokuroria ka kundërshtuar pyetjet që lidheshin direkt me rrjedhjen e dokumenteve.

Ai ka thënë se duhet të ekzistojë dokumentacion i tërësishëm i hetuesit, i cili i ka koordinuar kontrolle dhe sekuestrimin.

“Po, duhet të eksitojë dokumentacion i tërësishëm i këtij hetuesi, i kryehetuesit së pari, një dokument që të kërkonte leje që misioni të bëhej”, ka thënë ai.

Reid ka bërë të ditur se fusha e specializimit të tij janë hetimet penale, duke theksuar se është ish-oficer policor dhe prej vitit 1994 deri në vitin 2018, ka punuar në TPNJ.

 

“Zinxhiri komandues është shumë i thjeshtë, bazik, porsa dokument vinë në dorën tënde duhet të jesh në dijeni se ku janë në çdo minutë të ditës dhe shtatë ditëve të javës, dhe këtë bënim kur shkonim në mision. Kishim një punonjës që merrej me dëshmitë, me provat dhe kur një grup dokumentesh merreshin ai regjistronte, ai nuk regjistronte çdo faqe të veçantë dhe çdo dokument, por një dosje që ka titullin X Y, dhe pastaj sigurohej që ajo dosje të shkonte në kutinë e provave që i vihej një numër. Pastaj, këtë numër ai e shënonte në bllokun e inventarit, dhe ishim në gjendje të thonim me saktësi se çfarë dokumentesh përmbante çdo qese”, ka thënë dëshmitari.

Ndër të tjera, avokati e ka pyetur atë rreth përvojës së tij të vitit 1997 në Prijedor dhe në Banjalukë, ku Reid ka treguar mënyrën se si barteshin dhe ruheshin dokumentet.

“E di që ishte një proces shumë i madh, me përkthyes, ne të gjithë që shikonim të gjitha dokumentet për të bërë një inventar të hollësishëm, jo faqe për faqe, por për tu dhënë autoriteteve një ide të përgjithshme të asaj që kishim marrë. Pasi bëhej kjo punë dhe u jepej autoriteteve gjithçka vulosej prapë dhe dërgohej me sigurinë ushtarake, shoqëruar me ushtri, në Zagreb dhe futej në një dhomë që edhe ajo vulosej. Jam shumë i sigurt, edhe pse jo 100%, por një punonjës i sigurisë rrinte në zyrë atë natë për të ruajtur dokumentet dhe të nesërmen një nga shefat e ekipit hetues dhe shoferi i sillnin ato në Hagë, ku dokumentacioni i jepej sipas zinxhirit ruajtës njësisë së provave. Jam i sigurt i jepeshin shefit të kësaj njësie”, ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe procedurat që ndiqeshin kur kamioni me dokumente arrinte në Hagë.

“Kur vinte kamioni këtu, unë e takoja bashkë me njësinë e provave, i shkarkonim kutitë në TPNJ kishim dy zyra të mëdha poshtë nën tokë ku i mbanim këto dokumente, të gjitha i vendosim aty. Pastaj, njësia e provave nënshkruanin dhe ndiqej zinxhiri i ruajtjes, pastaj dokumentacioni merrej në ruajtjen e tyre ne si hetues, juristë, përkthyes të tjerë e kishim bërë punën tonë, tani e kishte radhën njësia e provave të bënte punën e saj, e vetmja gjë që do të bënim më shumë, nuk e di nëse e kemi bërë në ’97-ën, nuk e di nëse kishim mjete elektronike apo kishim dokumente në letra, sepse njësia e provave kërkonte të kishim disa metoda. Gjithsesi dikush i vendoste metodat që shpjegonin çfarë dokumentesh ishin, data që ishin marrë, autorët që kishin përgatitur e të tjera”, ka thënë Reid.

Avoakti Cadman a ka pyetur atë rreth deklaratave të dëshmitares së ZPS-së, Zdenka Pumper, e cila kishte thënë se udhëzimet për çështjen OVL-UÇK, i kishte marrë gojarisht nga prokuroria dhe nuk kishte mbajtur shënime.

“Ne merrnim një kërkesë nga personi që do të kryesonte misionin dhe gjithmonë procedurat, standardet e punës siguronin, garantonin që puna të bëhej e njëjtë për të gjithë në këtë rast i drejtoheshim zëvendësprokurorit tek shefi i hetimeve, komanda e hetimeve, për shembull, nëse unë kam qenë përgjegjës për hetime e autorëve myslimanë dhe u morëm me ushtrinë e Bosnjës, duhet të siguroheshe që të merreshin të gjitha masat që ushtria të ishte e informuar plotësisht dhe të përfshihej”, ka thënë dëshmitari.

Reid ka thënë se aktualisht është në pension dhe puna e fundit që ka bërë ka qenë nga tetorit i vitit 2019 deri në shtator 2020 dhe ka qenë për mekanizmin ndërkombëtar për tribunalet kombëtare dhe prokurorin Broomers që punon në gjykatën e Ruandës. /KSP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë të dielën…