Dëshmitarja deklaron se vrasja në “Kobra City” s’ndodhi për mospagesën e faturës, thotë se ky i akuzuar e hoqi CD e kamerave

15 prill 2025 | 18:39

Në gjykimin ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen në lokalin “Kobra City”, dëshmitarja A.S., e cila ishte punëtore në lokal, tha se i akuzuari Roland Susuri e kishte larguar CD-në e kamerave të lokalit dhe se të njëjtin e ka parë me armë. Tha se fatura prej 400 euro nuk ishte arsyeja e vrasjes.

“E kam pa Rolandin tu e heq prej rryme, u tërheq një CD, madje vetë më ka thanë ‘çka po i hapë sytë’…Rolandi alltinë e ka pas”, deklaroi dëshmitarja S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarata e dëshmitares A.S., vazhdoi në sesionin e pasdites, pasi që e kishte përfunduar dëshminë dëshmitarja tjetër, e cila kishte dëshmuar në seancë të mbyllur për publikun.

Paraprakisht, dëshmitarja A.S., tha se ishte kërcënuar nga i akuzuari Susuri përmes të dashurës së tij, pasi që A.S., e kishte përmendur Susurin në deklaratën e dhënë në Prokurori.

A.S., tha se ditën kritike kishte parë armë tek të dyja grupet- edhe tek ai i tani të ndjerit që vinin nga Kukësi, por edheh tek grupi i Roland Susurit.

Sipas dëshmitares, pas dy ose tre minutave që Dibran Hoxhaj ishte futur në lokal dhe ua ka ngritur zërin punëtorëve të lokalit (burrave) se si e kanë lejuar që të shkatërrohet lokali, në ato momente kishte arritur Policia.

Gjithnjë sipas A.S., vrasja nuk ka ndodhur si rezultat i mospagesës së faturës prej 400 euro, por për shkak se ish-e dashura e të akuzuarit Susuri ishte prekur nga tani i ndjeri V.C.

Ajo tha se i akuzuari Susuri i kishte kërkuar tani të ndjerit të mos e prek atë vajzë dhe të mos i bëjë video, por sipas saj, kërkesa nuk ishte respektuar dhe se V.C., e ka shtyrë Susurin dhe i ka kërkuar takim me Dibran Hoxhajn.

“Tani personi i ndjerë i tha mos më prek dhe e ka citu se don me taku dajën Dibran”, deklaroi S.

Më pas, me të filluar ballafaqimi me deklaratën e dhënë në Prokurori, A.S., tha se disa pjesë të shkruara si në deklaratë, nuk janë thënie të saj dhe as vetë nënshkrimi.

Më pas, dëshmitarja kërkoi të ndërpritet seanca për arsye familjare, kërkesë e cila iu aprovua nga trupi gjykues.

Vëllai i “Kobrës” thotë se s’kishte dëgjuar të shtëna me armë në natën kritike

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve për vrasjen në lokalin “Kobra City”, të martën në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua vëllai i Hoxhajt, Enver Amerllahu, i cili tha se në natë kritike të 3 janarit 2023 para rastit ishte në Gjilan bashkë me të dhe se kur janë kthyer nuk kishte dëgjuar të shtëna me armë në lokal.

“S’kam dëgju krisma të armëve”, tha Amerllahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Ai tha se atë natë, paraprakisht bashkë me Hoxhajn- të cilin tha se e ka vëlla nga nëna, kanë shkuar në diskotekën “Stop” në Gjilan dhe se rreth orës 03:00 pas mesnatës janë kthyer në Prizren. Tha se gjatë rrugës ishin njoftuar nga punëtorët e lokalit se ka ndodhur rrahja.

Sipas tij, në bisedë me telefon, Hoxhaj u kishte kërkuar punëtorëve që të thërrasin Policinë.

Amerllahu thotë se pasi që kishin mbërritur në lokal, Hoxhaj kishte kërkuar nga punëtorët e lokalit përgjegjësi se si kanë lejuar të shkatërrohet lokali.

Ai theksoi se në natën kritike ishte mjegull dhe se kur kishin arritur në lokal nga Gjilani, parkingu ishte i zbrazët.

Po ashtu, Amerllahu deklaroi nuk kishte parë armë në lokal dhe te asnjë person tjetër. Tha se për vrasjen në lokal kishte kuptuar në medie.

Prokurorja speciale Merita Bina-Rugova e pyeti dëshmitarin se përse ishte gjetur barut në rrobat e tij, por Amerllahu tha se nuk e di.

Gjithashtu, ai tha se nuk iu beson thashethemeve dhe atyre që thuhen në medie se vëllai i tij Hoxhaj ka kryer vrasjen, pasi nuk beson se ai e ka bërë një gjë të tillë.

Në anën tjetër, vetë i akuzuari Dibran Hoxhaj deklaroi se natën e vitit të ri kishte gjuajtur me armë në fshatin e tij dhe se këtë, sipas tij, e kanë ditur gjithë bashkëfshatarit. Tha se më pas kishin shkuar dy shokë të tij për t’i provuar dhe për t’i marrë armët.

“Kam përdorë armë edhe të shkurtë edhe të gjatë, natën e festës së vitit të ri dhe storie ka qenë në Instagram, nihen krismat, e kam thanë edhe në deklaratë krejt, kanë ardhë dy shokë, ju kam thanë merrni armët testoni. Kanë gjuajt me armë, i kanë marrë armët dhe kanë shku”, tha Hoxhaj.

Më pas, seanca vazhdoi e mbyllur për dëgjimin e një dëshmitareje, për të cilën gjykatësi i rastit Kujtim Krasniqi tha se ka pasur kërkesë nga dëshmitarja që seanca të mbyllet me qëllim të mbrojtjes së integritetit personal të saj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, nuk figuron në listën e…