Dëshmitë e vjedhjes së votave për Meliza Haradinajn, PDK kërkon rinumërimin e të gjitha votave
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, është shprehur i shokuar nga video-incizimet të cilat shfaqin skandalin e madh të manipulimit të votave.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Elshani ka thënë se si përfaqësues i PDK-së në KQZ, do të kërkojë menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet, shkruan Reporteri.net.
“Si përfaqësues i Partisë Demokraitke të Kosovës në KQZ, do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-inçizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori. “, ka shkruar ai në Facebook.
Ky reagim erdhi pas publikimit të hulumtimit nga Gazeta Insajderi ku shihet se ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla, si duket nuk mori mjaftueshëm vota për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por ‘këtë problem’ e zgjidhi bashkëshorti i saj, Dardan Stublla, duke i blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe kanë favorizuar Haradinaj Stubllën.
Gazeta Insajderi ka siguruar një video-incizim i cili zbulon përfshirjen e bashkëshortit të kryediplomates kosovare në një skandal të madh të manipulimit të votave.
Arbër Krasniqi, një nga të përfshirët në videoincizim, dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëvshje me Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro, por ata kanë marrë vetëm katër mijë prej tyre.
Komisionerët në Qendrën e Numërimit të Rezultateve manipuluan me rezultatet, duke vjedhur votat e kandidates së AAK-së për deputete, Florentina Gjergjaj, e më pas edhe të Albana Bytyqit, vetëm e vetëm që t’ia sigurojnë votat e nevojshme për ulësen e deputetit kryediplomates në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla.
Postimi i plotë i Elshanit:
Jam i shokuar nga video-inçizimet të cilat shpërfaqin tendencat për manipulimin rezultatet e kandidatëve dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Si përfaqësues i Partisë Demokraitke të Kosovës në KQZ, do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-inçizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori.
Si KQZ përgjatë gjithë këtij procesi zgjedhor kemi qenë të angazhuar në integritetin e zgjedhjeve dhe ruajtjen e kredibilitetit të ndërtuar ndër vite të KQZ-së, andaj nuk do të lejojmë që askush në asnjë formë të baltosë e të cenoj këtë institucion që ka për obligim të ruaj dhe të paraqes saktë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.