Dëshmorët nuk janë thjesht objekt përkujtimi
Prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension
– Fjalë rasti në akademinë përkujtimore për dëshmorët Imer dhe Labinot Krasniqi, Prishtinë, më 16. 6. 2018
Të nderuara familje të dëshmorëve Imer e Labinot Krasniqi,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë Akademi Përkujtimore,
Përkujtimi i dëshmorëve është vlerë për lirinë që rrit autoritetin e përkujtuesve, por që kërkon edhe përkushtim për përsosjen e rrugës nëpër të cilët na kanë orientuar dëshmorët të ecim drejt ardhmërisë.
Dëshmori i parë i anës së Malishevës, Imer Krasniqi, me emrin e tij solli portretin e luftëtarit të lirisë, me emrin e tij bëri një luftë, me emrin e tij krijoi një simbol frymëzimi e mobilizimi për UÇK-në, me emrin e tij krijoi një legjendë, me emrin e tij solli një dëshmor, me emrin e tij krijoi një brigadë luftëtarësh që është vlerësuar një prej brigadave më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Imer Krasniqi dhe Labinot Krasniqi i përkasin një familjeje të sprovuar për çështjen kombëtare, ndaj nuk mund të mos ishin në frontin e luftës për liri. Dhe këtë liri ata nuk e kërkuan për familjen e tyre, për fisin e tyre a për krahinën e tyre, por për të gjitha trojet shqiptare. Fakti i qenies së të dyve dëshmorë të kombit, por që e kanë dhënë jetën njëri në trevat e Kosovës e tjetri në trevat e Maqedonisë, është tregues i vizionit të tyre kombëtar.
Imer e Labinot Krasniqi dhe të gjithë dëshmorët e tjerë i morën armët për ta bërë atdheun e tyre dhe popullin e tyre të lirë.
Është e ditur se edhe dëshmorët e kanë dashur jetën, por për lirinë e kanë vënë atë në provë, duke arritur ta finalizojnë me rënie në altarin e lirisë. Ama të rënët kanë lënë të gjallët pas vetes për ta ndërtuar atë të ardhme për të cilën ata kanë dhënë jetën. Por dëshmorët nuk janë thjesht objekt përkujtimi. Dëshmorët sot nuk e dinë nëse ne e përkujtojmë veprën e tyre ose jo. Kështu që veprime të tilla nuk duhen trajtuar sikur ne po u bëjmë dëshmorëve ndonjë nderim. Ata fizikisht nuk kanë nevojë për nderimin tonë. Ata janë në amshim të lumtur për veprën e tyre edhe pa përkujtimin tonë.
Prandaj është mirë t’i thërrasim mendjes e ta bëjmë pyetjen për të gjallët, për vete dhe për gjithë të tjerët: A po e bëjmë ne punën tonë sot sipas kritereve të idealeve për të cilën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan dje? A jemi ne në nivelin që ta shikojmë veten drejt në sy duke dalë para portretit të dëshmorit? A kemi ne të fshehta për të cilat duhet dhënë llogari, por vetëm se nuk na i dinë të tjerët? Çfarë i themi vetes kur jemi vetëm, për atë se si e bëjmë punën e sa të përkushtuar jemi për sendërtimin e rrugës drejt të ardhmes, në segmentin ku jemi ngarkuar të punojmë? Cilat janë sfidat me të cilat do të ndeshemi në të ardhmen e afërt dhe të largët? Cilat janë synimet që kemi secili në pozicionin e tij për ta zhvilluar vendin dhe për ta lumturuar atdheun e kombin? A kemi lakmi dhe interesa jetëshkurtra personale dhe klanore partiako-politike? A e nderojmë me punën tonë gjakun e dëshmorëve? A shprehemi në emër të popullit duke bërë abuzime mbi interesat e tij? Etj.
Dëshmorët janë institucioni më i vlefshëm i të gjitha kombeve të botës. Janë institucioni më i nderuar, janë institucioni i krenarisë kombëtare dhe të gjithë betimin e bëjnë duke u mbështetur në vullnetin e Zotit dhe gjakun e derdhur nga dëshmorët. Dëshmorët në çdo komb janë institucioni i sigurisë kombëtare, pasi çdo qytetar i kombit përkatës e ka për detyrë të ruhet shenjtëria e gjakut të derdhur dhe të mos lejohet të shkelet për asnjë arsye dhe prej askujt, duke pranuar që më mirë të shuhen kombëtarisht sesa të lejojnë të shkelet ai gjak nga armiku.
A e ndiejmë ne veten kombëtarisht të qetë për qëndrimin që mbajmë ndaj gjakut të dëshmorëve dhe punën që bëjmë për të ndërtuar të ardhmen e vendit duke u ballafaquar me atë çfarë kemi biseduar me dëshmorin kur ai ose ata ishin në front me ne duke luftuar denjësisht për të fituar e gëzuar lirinë?
Është bërë traditë fjalomania deklarative, “të ecim vertikalisht, të qëndrojmë vertikalisht, të paraqitemi vertikalisht, të shkojmë vertikalisht”, ndërsa në fakt në mjaft raste po shohim se po ecim përtokazi, me zvarritje, me përulje, me buzëqeshje të shtira, me rrahje supesh përkëdhelëse, që duket se po zënë vend në portretet e atyre që nuk duhet të zënë vend. Që duket se po zënë vend në jetën tonë, duke na e zbehur dinjitetin dhe identitetin, çka nuk është në dinjitetin e luftës nëpër të cilën kemi ardhur deri në këto ditë lirie dhe nuk është në dinjitetin e figurës së dëshmorëve të atdheut, të cilët rrugëtuan nga frontet e luftës drejt piedestalit të lavdisë kombëtare, duke na lënë detyrën më të vështirë për të kryer, atë të ndërtimit të së ardhmes së lumtur të atdheut e kombit. Prandaj edhe në çdo hap që hedhim, për të qenë në hapin e amanetit të dëshmorëve, duhet ta shikojmë veten dhe ta pyesim atë: A jemi vërtet vertikalisht?
E në qoftë se duam të jemi seriozë në këtë qëndrim, duhet ta kthejmë vështrimin mbi portretin e dëshmorëve dhe të shikojmë vërtet: A u kemi dhënë atyre një dekoratë trimërie? A ka trimëri më të madhe se ta japësh jetën në frontin e luftës kundër armikut për t’i dhënë liri vendit e popullit tënd? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e konsiderojmë modelin e zhvillimit, edhe kur dikush fikën një zjarr në pyll, bëhet një ceremoni nderimi për të dhe i jepet një medalje trimërie. A edhe sa ai që fikën një zjarr në Amerikë nuk paskan bërë dëshmorët tanë?
Mohimi i rrugës nga kemi ardhur nuk është siguri për të ardhmen. Përkundrazi, ky mohim a zhvlerësim, quajeni si të doni, e bën shumë të pasigurt të ardhmen e vendit.
Sot në Kosovë më shumë e ngrenë zërin ata që nuk kanë marrë pjesë në luftë. Më shumë e ngrenë zërin ata që shpifin për luftëtarët e çlirimit. Ata që të gjithë luftëtarët përpiqen t’i identifikojnë me një a dy abuzivë që ndoshta gabimisht mund të jenë gjetur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu sikurse me qëllim dashakeq të atyre që janë gjetur në frontin e gabuar kombëtar, për të mos thënë në frontin bashkë me armikun përballë atdheut të tyre, kanë nxjerrë një formulë, që denigron komandantët e të gjitha rangjeve të asaj ushtrie të lavdishme, duke u përpjekur që termin komandant në atë ushtri në opinion ta bëjnë të neveritshëm. Imagjinoni kur opinioni neveritë komandantët, çfarë duhet thënë për ushtarët. Prandaj duhet ngritur zëri fort. Atij që përpiqet ta përçmojë luftën çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët që e bartën atë luftë dhe e sollën në vlerat kombëtare shqiptare duhet t’i tregohet vendi. Të mbrohen pra me arsyetime të qëndrueshme vlerat e kësaj lufte dhe të çlirimtarëve qofshin ata komandantë a luftëtarë të thjeshtë të atyre radhëve.
Nëse është dikush nga luftëtarët, që pas luftës ka ndërtuar figurë të keqe, të kriminalizuar, të pamoralshme a diçka të tillë, unë mendoj që atij duhet t’i japim një dekoratë të lartë për luftën që ka bërë dhe ta marrin ligjet e shtetit në dorë e ta dënojnë me 101 vjet burg për të këqijat e tij të pas luftës. Por, të thuhet shiko çfarë bën ky apo ai i luftës, askush nuk ka të drejtë. Te lufta askush nuk ka të drejtë të prekë. Ajo është shenjtëri kombëtare.
Sot përkujtojmë dëshmorët e rënë, por edhe secili nga ata luftëtarë që jetojnë sot në Kosovë me apo pa punë, me apo pa detyra të ulëta a të larta qytetare a shtetërore, mund të ishte dëshmor, sepse edhe këta në një front me ata që kanë rënë kanë qenë.
Një çështje tjetër që ma tërheq vëmendjen e që dua të përfitoj nga rasti për ta ndarë me Ju në këtë akademi përkujtimore është fakti që sot po bëhen shumë lojëra fjalësh me sasinë e luftëtarëve që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës e që evidentohen si luftëtarë të asaj lufte, duke marrë dëshmi ligjore për këtë nga shteti i Kosovës.
Arrihet deri atje, sa të thuhet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur 10 deri 15 mijë luftëtarë. Dikush thotë se po të kishte aq luftëtarë sa janë evidencuar si veteranë ne jo vetëm kishim çliruar Kosovën, por e kishim pushtuar edhe Beogradin. Habitem me këta strategë të mëdhenj me përmasa vigane të pas luftës, se gjatë luftës ka shumë mundësi të kenë qenë të veshur me dimi a me fustan duke ikur diku, siç edhe i kam parë disa.
Dikush arrin deri atje sa të thirret në armët e dorëzuara në KFOR nga UÇK-ja në vitin 1999. Unë nuk mund ta shtjelloj këtë çështje publikisht, por mund të them se të thirresh në këtë shifër është abuzimi më i madh që mund t’i bëhet historisë.
Ndërkohë unë dua të jap vetëm dy shifra, që secili nga ju t’i bëjë vetë llogaritë. Në përfundim të luftës, më 9 qershor 1999, Operacioni Shigjeta, në frontet e Koshares dhe të Pashtrikut kishte mbi 5 000 luftëtarë. Ndërsa po në këtë ditë Zona Operative e Dukagjinit kishte mbi 8 000 luftëtarë.
Ju lutem merrini luftëtarët e të gjitha zonave, si dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj lufte jashtë Kosovës, në mbështetjen logjistike dhe financiare e mediatike të saj dhe nxirrni përmasat e asaj ushtrie. Që realisht kishte përballë mbi 60 000 ushtarë serbë, mbi 12 000 policë serbë dhe mbi 63 000 civilë të armatosur serbë. Të gjithë janë të lutur që pakënaqësitë e sotme, kundërshtitë e sotme, politikat e sotme, konfliktet e sotme, përplasjet e sotme, të mos i mbartin te lufta çlirimtare e Kosovës dhe te bartësja e saj – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Të gjithë luftëtarët duhet të jenë krenarë për veprën e tyre madhore kombëtare. Të gjithë frikacakët e djeshëm mos të bëhen trima sot, por të qëndrojnë në pjesën e tyre të moralit kombëtar. Të gjithë tradhtarët e djeshëm le ta hedhin tej tashmë tradhtinë e tyre e të kthehen t’i shërbejnë vendit, në qoftë se nuk janë ende në borderotë serbe të bashkëpunimit.
Dhe në vijim evidentoj se lufta çlirimtare e Kosovës nuk ka filluar as më 24 mars 1999 e as më 22 prill 1999. Lufta publike e hapur, me kombinimet e luftës partizane me luftën frontale, ka filluar jo më vonë se kur Ushtria Çlirimtare mori nismën për të dalë publikisht me një mesazh për të gjithë shqiptarët. Dhe kjo ka ndodhur më 28 nëntor 1997.
Dëshmorët janë amaneti që vjen nga dheu i kombit i gatuar me gjakun e tyre. Luftëtarët janë amanetqarët të cilët kanë shumë detyra për të kryer. Po menduam se lufta ka mbaruar jemi të humbur. Po menduam se kemi kryer obligimet e amanetit të dëshmorëve jemi duke punuar kundër lirisë dhe ardhmërisë kombëtare. Unë nuk dua të jem prej atyre që harrojnë, as prej atyre që vetëkënaqen e as prej atyre që e kanë rrezen e shikimit deri te hunda e tyre. Dua të mbetem ushtar gjithë jetën.
Lavdi dëshmorëve Imer e Labinot Krasniqi!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Nderim për ju të nderuar pjesëmarrës.
Faleminderit që më dëgjuat!