DËSHMORI I KOMBIT RESHAT YMERI SIMBOL I RËNIES PËR KOSOVËN E LIRË

31 janar 2023 | 18:21

Ismet Sylejamni

Fillimi i vitit 1990, do të mbahet gjatë në mend në kujtesën e popullit tonë në Gjilan!

Historia do të dëshmojë, se në atë vit në Gjilanin heroik të Rexhep Males, të Kadri Zekes, të Nuhi Berishes, të Zija Shemsiut, të Rexhep Elmazit, të Agim Rashitit e të Reshat Ymerit, Heronjë e Dëshmorë këta të periudhës së paraluftës të titanike të UÇK-së, populli shqiptar, i udhëhequr nga bijtë dhe bijat e tij më të mirë e më besnik, i kishte mbushur rrugët dhe sheshet e qytetit, dhe ashtu sikur në vitet 1968, 1981 dhe 1989, kërkonte të drejta e barazi, liri e Republikë për popullin shqiptar nën ish-Jugosllavi!

Pjesmarrja në demonstratë ishte masive e popullit të Gjilanit dhe e fshatrave !

Ishte tregues i qartë për Serbinë pushtuese, se në Kosovë po krijoheshin rrethana të tjera dhe të reja dhe ajo nuk do ta kishte të gjatë pushtimin e sajë në Kosovë!

Demonstrata e viteve 1989 dhe 1990 në Gjilan, ishte tregues i madh dhe shihej qartë se në udhëheqje të LPK-së në atë kohë, kishte ardhur një gjeneratë e re shqiptarësh të rinjë aktiv, që ishin vazhdues besnik të idealeve të mëdha e liridashëse të heronjve e dëshmorëve të kombit dhe të shokëve të tyre të gjallë, por që ishin burgosur dhe po dergjeshin burgjeve serbe dhe atyre nëpër ish-Jugosllavi!

KUR DHE SI U VRA DËSHMORI I KOMBIT RESHAT YMERI?

Dhjetë ditë më herët para se të vritej i pavdekshmi Reshat Ymeri, natën e 19 Janarit 1990, Këshilli i Rrethit të LPK-së për Gjilan, Viti dhe Kamenicë, e ka shpërndarë në Gjilan TRAKTIN e LPK-së!

Ky ishte TRAKTI i fundit që i drejtohej popullit shqiptar dhe opinionit të jashtëm, me rastin e mbajtjes së Kongresit të 14 të Jashtëzakonshëm të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë- LKJ, sepse LKJ më vonë u shua e Jugosllavia filloi të shpërbëhej!

TRAKTI Kky dokument politik ilegal kombëtar i LPK-së, ishte materiali që iu gjet në xhep, pas vrasjes nga policia pushtuese serbe, Dëshmorit të Kombit Reshat Ymeri!

Mbajtja në gji e TRAKT-it të LËVIZJES… nga Reshat Ymeri, në kohën kur po demonstrohej në të gjitha anët e qytetit, e veçanërisht në lagjen e Dardanisë(ish-Gavrani), nuk ishte e rastit, por ishte dhe mbetet dëshmi se sa të vetëdijshëm e morri plumbi i armikut atë djalë të ri, para 33 viteve, më 29 Janar 1990!

Gjilani i 29 Janarit të vitit 1990, ishte një nga qytetet e shumta të Kosovës që jehonte fuqishëm me thirrjet duam liri, duam të drejta, duam Republikë për Kosovën, gjëmonin fuqishëm!

Ato kërkesa legjitime dhe demokratike që kërkoheshin nga populli shqiptar në atë kohë atëherë, në vend të përgjigjes së drejtë, ato ranë në vesh të shurdhër, ndërsa ne që i kërkonim ato në rrugë, pra të drejtat e popullit të Kosovës, shtypeshim dhe vriteshim, kundër neve hidhej gazë lotsjellës mbi normat e lejuara, goditeshim e gjakoseshim, madje edhe vriteshim!

Në vijat e para me forcat e errëta të Serbisë pushtuese dhe me veglat e saj në Kosovë, e mori plumbi i armikut, afër postës së vogël te shkollat e mesme në Gjilan, bshkëdemonstruesin tonë të radhëve të para, Dëshmorin e Kombit Reshat Ymerin!

Pas rënies së Reshatit, në Gjilan ishte krijuar një atmosferë e zymtë!

Atmosferë vrsjeje, atmosferë e derdhjes së gjakut!

Por mbi supet tona të udhëheqjës së LPK-së të Këshillit të Rrethit, si organizatorë të demonstratës që ishim, u shtua edhe më shumë përgjegjësia!

Gjakun që e derdhi Reshati në rrugët e Gjilanit, plagosjet dhe rrahjet që na ishin bërë, na obligonin edhe më shumë ta vazhdonim luftën edhe më me forcë, dhe që atëherë filluam të mendonim se luftën duhet ta vazhdonim, por edhe duhej ta kombinonim edhe me forma të tjera, sepse shihej që nuk shkonte më ashtu!

Ne me gurë, e ata me plumba, ne me brohoritje e ata me gazlotsjellës, me rrahje, me armë e vrasje!

Përcjellja e fundit e Dëshmorit të Kombit Reshat Ymeri, ndonëse e penguar dhe e shtyrë për në orët e vona të pasditës, me qëllim që të mos ishte me shumë njerëz, megjithatë pjesmarrja ishte e madhe dhe ishte masive prezenca e popullit!

Dhembja për rënien e dëshmorit Reshat Ymeri, ishte padyshim shumë e madhe!

Reshat Ymeri iu shtua zingjirit të artë të të rënëve për Atdhe, dhe rënditja përkrah heronjve e dëshmorëve të kombit, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Rexhep Elmazi e Agim Rashiti ishte e jashtëzakonshme, ashtu sikur e jashtezakonshme dhe heroike, ishte edhe zgjatja e këtij zingjiri të florinjtë nga Heronjtë dhe Dëshmorët e UÇK-së!

Lavdi Dëshmorit të Kombit Reshat Ymeri!

Prishtinë,29 Janar, 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Kujtim Kërveshi ka thënë me dije se çdo ditë…