Dëshpërimi

09 prill 2020 | 18:04
Ndue Ukaj

Dëshpërimi s’ ka shtëpi
por banon kudo ku humb kuptimi
dhe zë fill historia e tjetrit.
Aty ku ngjiten në skenë dëshmitarë të rremë
me sy të qeshur dhe zemër të helmuar.

Ata që zgjohen me pikturën e Pilatit në mur
dhe ngjyejnë kafshatën e thame-
thellë në pjatën e tradhtisë.
Ata kanë gjithmonë gozhda për ta kryqëzuar tjetrin.
Ata kanë mësuar përmendësh refrenin: kryqëzoje, kryqëzoje, kryqëzoje.
Ata kanë kohë për urrejtje dhe jo për dashuri.

Tarraca ime ka pamje të bukur
kah pafundësia e maleve,
prej nga vjen aroma e parfumit të natyrës dhe tingujt madhështorë të zogjve të gëzuar.

Ndaj s’e dua historinë e tjetrit që rrëmbehet pas hiçit
dhe në një mbrëmje të bukur si kjo
i them vetes:
përdëllimi im është rrethanor diellor
ndaj s’dua ta lë peng buzëqeshjen time.
2017

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetëra absolventë të Mjekësisë, programerë, profesorë, gazetarë, i kanë lënë…