Dështimet në dialog të Kurtit dhe pasojat për Kosovën
Shkruan: Avdullah Hoti
Po flitet se, krahasuar me ndërmjetësit e mëparshëm, Borell dhe Lajçak nuk arritën asgjë në dialog gjatë mandatit të tyre që mbaron në maj. Por, për fatin e keq të Kosovës, e vërteta është krejtësisht ndryshe:
1. Baronesha Ashton arriti marrëveshjen e vitit 2013, ku parashihej një asociacion me kompetenca deri në vijën e atyre ekzekutive, e cila u ratifikua në Kuvendin e Kosovës dhe mundësoi, me gjithë vështirësitë në zbatim, shtrirjen e institucioneve të shtetit të Kosovës në veri;
2. Zonja Mogerini arriti marrëveshjen e vitit 2015 për parimet e themelimit të asociacionit, por kryeministri Mustafa u sigurua që kompetencat e asociacionit të jenë në përputhje me Kushtetutën, duke marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese para se statuti i asociacionit të fuqizohej;
3. Ndërsa, Borrell dhe Lajçak, me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, arritën që kompetencat e asociacionit t’i zgjerojnë në nivel autonomie-‘vetëmenaxhimi’ për serbët e Kosovës, si dhe i dorëzuan formalisht Qeverisë së Kosovës draft statutin e asociacionit, i cili: i referohet Rezolutës 1244, i zyrtarizon strukturat paralele në arsim e shëndetësi për disa vite, vendos arbitrazhin mbi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës etj.
Për fatin e keq të Kosovës, mungesa e vetëdijes dhe përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës, duke mos u dhënë hapësirë në këtë proces ekspertëve, duke mos dëgjuar këshillat e aleatit kryesor, duke mos ofruar transparencë të procesit për opozitën për të marrë me kohë vërejtjet dhe sugjerimet, i dhanë të mbrapshtën dialogut.
Mbështetja nga aleatët për Kosovën nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se tani. Kjo sigurisht nuk mundëson asnjë lloj marrëveshje të mirë për Kosovën në dialog apo në çfarëdo procesi euro-integrues. Si rezultat, dialogu është zhvendosur nga një proces “me njohjen në qendër” që mbështetej nga letrat e liderëve kryesorë perëndimorë, në një proces “me asociacionin në qendër e i orientuar në menaxhimin e krizave”.
Për fatin e keq të Kosovës, derisa në qeveritë paraprake integrimi i Kosovës ka qenë i përcaktuar nga reformat e Kosovës të parapara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e Qeverisë Mustafa, tani obligimet e Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit janë vendosur si kritere në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Për fatin e keq të Kosovës, tani është krijuar një status quo e re në dialog. Qeveritë e ardhshme duhet të përballen me pasojat, të kthejnë mbështetjen nga aleatët dhe të ri-nisin dialogun për njohje.