Dështimi i procesit të regjistrimit të popullsisë, Murati: Nuk e kemi ne përgjegjësi, e ka ASK-ja
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk merr përgjegjësi për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë i paraparë të nis më 1 nëntor.
Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë fajësuar dikasterin e drejtuar nga Murati.
Murati për KosovaPress ka thënë se e kanë ndihmuar ASK-në për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si Ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces.
“Ministria e Financave ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për t’i kryer disa punë që ata (ASK) nuk kanë pasur resurse t’i përfundojnë. Ne e kemi marrë atë vendim dhe i kemi ndihmuar ASK-në. Është problem kur dikujt i ndihmon, mundohet t’i fajësoj atë që po e ndihmon. Ministria e Financave nuk e ka përgjegjësi regjistrimin e popullsisë, e ka ASK-ja”, ka thënë Murati.
Në anën tjetër, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë ka thënë se shkaktare që regjistrimi të mos fillojë me kohë ka qenë edhe Ministria e Financave.