Dështimi i Projektligjit për skemat pensionale, AAK-ja: Mendësia totalitare e LV-së nuk e njeh as vendimin e Kushtetueses

18 janar 2023 | 16:53

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për mosvotimin e Projektligjit për skemat pensionale, i cili kishte për qëllim që pensionistëve t’ ju njihet e drejta e stazhit të punës për periudhën 1990-1999, rrjedhimisht të heq kufizimin diskriminues për 15 vitesh stazh të sigurimit pensional, për qytetarët e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në konferencë për media të mërkurën, ka thënë se mazhoranca ka shkelur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për skemat pensionale.

“Sot ishim dëshmitar se deri ku mund të shkojë mendësia totalitare që nuk njeh opinion tjetër. As opinionin e Kushtetueses, as opinionin e pensionistëve dhe as opinionin e sindikalistëve. Votimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje kundër, nuk është kundër nismës sonë si AAK, por edhe vendim kundër Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk është në gjendje të ndryshojë padrejtësinë ndër vite që iu bëhet pensionistëve. Mirëpo, ai ka thënë se e njëjta mund të ndodh deri më 15 korrik të këtij viti, kur edhe është afati i fundit, sipas kushtetueses për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale.

“Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me program social. Ju kujtoj se LV-ja ka ardhur në pushtet për ndryshimin e vendit, por këta nuk janë në gjendje të ndryshojnë as padrejtësinë kushtetuese që ndër vite ju bëhet pensionistëve. Kjo vetëm për faktin se vjen si propozim i opozitës. Ju garantoj pensionistëve se qoftë nga kjo legjislaturë, apo legjislaturë eventuale tjetër, ky ligj diskriminues pas datës 15 korrik nuk do të jenë më ligj”, ka thënë Dreshaj.

Në seancën e sotme, ky projektligj ka dështuar të miratohet, pasi vetëm 25 deputetë kanë votuar për, kryesisht të opozitës, ndërsa 35 sosh të mazhorancës votuan kundër. /Ksp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar miniafati kalimtar në hendbollin e Kosovës. Miniafati ishte…