Dështimi i Qeverisë në investime kapitale, miliona euro i mbeten të pa shpenzuara

05 shtator 2022 | 19:16

Qeveria e Kosovës në vitin e kaluar thuajse ka dështuar totalisht në investimet kapitale. Paratë e parapara për investime në infrastrukturë, rehabilitim të rrugëve, rimëkëmbje ekonomike, shëndetësi, ujë dhe mbeturina, kanë mbetur të pashpenzuara.

Ministrat e Kurtit nuk kanë arritur t’i fusin në punë as miliona euro të tjera që janë marrë si huamarrje.

Shumë rrugë, shkolla, çerdhe, institucione të tjera shëndetësore, kulturore e sportive, kanë mundur t’i gëzojnë qytetarët e Kosovës nga viti i kaluar e deri më tani.

Mirëpo, realizimi i tyre ka mbetur vetëm në letër. Ashtu siç kanë mbetur të paprekura edhe miliona euro të ndara për këto projekte.

Dështimin e Qeverisë së Albin Kurtit në investimet kapitale e ka paraqitur edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin vjetor për vitin 2021, shkruan Demokracia.com.

Në këtë raport tregohet se nga 622 milionët e parapara për investime janë shpenzuar vetëm 423 milionë.

“Investimet kapitale në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme marrin pjesë me rreth 19%. Buxheti final për këtë kategori ishte 622,086,000€, ndërsa shpenzimet janë 423,941,000€”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, fondet buxhetore për investime kapitale janë të destinuara për financimin e projekteve në infrastrukturë, ndërtimin e autoudhëve, rrugëve lokale, në fushën e arsimit, shëndetësisë, objekteve kulturore dhe sportive, si dhe shërbimeve tjera publike.

“Ndonëse ka një rritje të performancës krahasuar me vitin e kaluar për shkak të gjendjes më stabile me pandeminë, krahasuar me vitin 2019, prapë mbetet një realizim jo i kënaqshëm. Për një numër të kontratave të planifikuara nuk janë zhvilluar procedura të prokurimit për shkak të mos inicimit të kërkesës nga njësitë kërkuese të organizatave apo tejzgjatja e procedurave të prokurimit për shkak të ankesave nga operatorët në OSHP, një pjesë e kontratave për punë janë ndërprerë për shkak të mosrealizimit të punimeve nga operatorët ekonomikë. Më tutje mos zgjidhja e problemeve shpronësore mbetet një sfidë nga viti në vit si shkak i të cilës tejzgjaten punimet e kontraktuara”, thuhet më tej në këtë raport.

Realizimi më i ulët i projekteve kapitale vërehet tek Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 22%, Zyra e Kryeministrit me 27%, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 27%, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë me 27% dhe Ministria e Ekonomisë me 52%. Komuna e Prishtinës me 34%, Komuna e Mitrovicës së Veriut me 25%, Komuna e Fushë-Kosovës me 44%, Komuna e Shtërpcës me 44%”, sqarohet në raport.

Ministrat e Qeverisë Kurti një dështim edhe më të madh e kanë pasur tek realizimi i projekteve kapitale me paratë që janë marrë hua.

Buxheti për vitin 2021 për financimin e projekteve kapitale nga huamarrja ishte 126,097,868 euro, kurse shpenzimi ishte 24,975,368 euro apo vetëm 20 për qind, përcjell Demokracia.com.

Siç thuhet në Raportin e Auditorit, nga 37 projekte të planifikuara me buxhetin final nga huamarrja, në 7 projekte në vlerë 23,534,092 euro nuk ishte bërë asnjë shpenzim, përderisa projektet më të mëdha kanë nivel të ulët të realizimit.

Dështimin më të madh për realizimin e projekteve e kanë pasur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – buxheti final për projektet e ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugëve, projektet e kadastrës, dhe rehabilitimit të hekurudhave ishte 65,630,000€, përderisa realizimi ishte 6,392,234€ apo 10%. Ministria e Ekonomisë – buxheti final për projektet për efiçiencë të energjisë dhe monitorim të ndërmarrjeve publike ishte 12,784,598€, përderisa realizimi ishte 4,914,403€ apo 38%. Ministria e Shëndetësisë – buxheti final për projektet me menaxhimin dhe reagimin emergjent ndaj Covid-19 ishte 24,499,150€, përderisa realizimi ishte 7,112,780€ apo 29%”, thuhet në raport.

Më së keqi nga komunat për realizmin e projekteve ka dalë edhe Komuna e Shtimes, që drejtohet nga Vetëvendosje.

‘Komuna e Shtimes – buxheti final për projektin për planifikim dhe zhvillim ekonomik ishte 793,562 euro, përderisa realizimi ishte 56,810 euro apo vetëm 7.2 për qind”.

Fondet buxhetore për investime kapitale ishin të destinuara për financimin e projekteve në infrastrukturë, rehabilitimin e rrugëve, mbështetjen e projekteve nga programi për rimëkëmbje  ekonomike, uji dhe hedhurina, infrastruktura publike dhe shëndetësia.

Menaxhimi i projekteve kapitale bëhet përmes Programit për Investime Publike (PIP). Planifikimi i projekteve në PIP duhet të bëhet në mënyrë të detajuar dhe të aprovohet nga krerët e organizatave bazuar në analizat dhe arsyeshmërinë e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër incidentin e shkaktuar…