Dështimi i rezolutës, Kica – Xhelili: Gjysma e deputetëve të LV-së nuk guxuan të kenë qëndrim
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica – Xhelili, ka reaguar pas mosmiratimit të projektrezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kica- Xhelili është shprehur se gjysma e deputetëve të LV-së nuk kishin guxim të mbanin qëndrim për këtë çështje.
“Rezoluta kundër veprave penale ndaj integritetit seksual dhe ngacmimit seksual NUK KALOI! Derisa partitë opozitare votuan PËR, LV-ja me gjysmën e deputetëve të tyre (me përjashtim të dy deputetëve që votuan PËR dhe të cilët i falënderoj për racionalitetin) abstenoi. Gjysma e deputetëve të LV-së nuk guxoi as të ketë qëndrim për këtë çështje. Gjysma tjetër, me gjasë, doli nga salla, në pamundësi që të votojë.”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Deputetja Kica – Xhelili është shprehur se ajo rezolutë është për të trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse një temë që është bërë një urgjencë nacionale.