Dështimi i rezolutës për mosshtrenjtimin e rrymës, opozita: Qeveria Kurti duhet të ndëshkohet

26 janar 2022 | 16:32

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ai i AAK-së, Besnik Tahiri dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, pas dështimit të rezolutës për mosngritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Ata kanë kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku këta të fundit nuk e kanë përkrahur rezolutën e opozitës.

Abelard Tahiri ka thënë se rezoluta e paraqitur kishte për qellim që të kërkohej nga ZRrE-ja dhe Qeveria që në asnjë rrethanë të mos konsiderohet rritja e çmimit të rrymës.

“Sot e kemi pritur që një rezolutë e tillë të votohet, pasi tashmë ka edhe paralajmërime të ndryshme për protesta e organizime për të kundërshtuar sepse kjo e bën të pamundshme jetën në Kosovë. Paga e një shërbyesi civil, një mjeku, një arsimtari e polici e një punëtori në sektorin privat është e papërballueshme për të mbuluar koston e përditshmërisë, duke shtuar këtu edhe çmimin e energjisë elektrike. Kjo mazhorancë tregoi që ka një koordinim të plotë në mes të ZRrE-së, grupit parlamentar të LV-së dhe qeverisë”.

“Sot LV-ja bëri një gjest që tregoi qartë pozicionimin e LV-së dhe të Kurtit sa i përket ngritjes së çmimeve, pra nuk votuan një rezolutë që do të kërkonte nga ZRrE-ja të mos vazhdojë me një politike të tillë. Prandaj ne nuk kishim si të vazhdonim më tutje në seancë që është krejt e parëndësishme në raport me atë që prezantuam ne si grupe parlamentare të opozitës. Në mënyrë që të parandalonim. Duket qartë se parandalim nga qeveria s’do të ketë dhe se janë pro rritjes së energjisë elektrike me tarifa dhe norma të papërballueshme. Duhet që tani të përdorim të gjitha mekanizmat ligjor për të parandaluar një gjë të tillë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka treguar arsyet e lëshimit të sallës se Kuvendit nga tri partitë opozitare.

“Vendimi ynë për me e lëshuar sallën plenare sot vjen si rrjedhojë e një votimi totalisht të papërgjegjshëm prej një votimi që në esencë është ikje prej besimit qytetar. Secili shqiptar i dytë e ka votuar LV-në dhe mospjesëmarrja e LV-së në votim e dështoi. Për shkak se rezoluta nuk është obligative, është rekomanduese dhe e kishte ndihmuar situatën”, ka thënë ai.

Më tutje, ai është shprehur ZRrE-ja dhe qeveria kanë sinkronizim të plotë lidhur me rritjen e çmimit të rrymës dhe ka theksuar se kriza dhe rreziku i situatës do të vie atë ditë kur vie fatura e parë e energjisë me rritje.

“ZRrE-ja dhe qeveria kanë sinkronizim të plotë në raport me këto tarifa. Vendimi për ngritjen e çmimit është vendim për me e varfëruar qytetarin e Kosovës. Sot polici, mjeku, zyrtari publik, ai në sektorin privat nuk e ka asnjë cent më të madhe rrogën, por e ka shumëfish më të lartë çmimin edhe në produkte ushqimore edhe në energji. Albin Kurti, populli të ka votuar me ofruar zgjidhje. Mos ik prej përgjegjësisë, besimi është i shenjtë. Nuk është zor me e majtë, krijo zgjidhje, jo zgjidhje duke e rënduar qytetarin e Kosovës, por duke ia lehtësuar jetesën, dhe duke u përballur me krizë që nuk do të kalojë lehtë. Rreziku i situatës do të vjen atë ditë kur vjen fatura e parë e energjisë me rritje”,  ka thënë Tahiri.

Më tutje, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se këto improvizime mashtruese të Qeverisë së Kosovës duke tentuar të fshihet prapa veprimeve të ZRrE-së apo krizës globale ka të bëjë mosdijen e pushtetit.

“Me mos veprimet e saj e ka sjellë gjendjen këtu. Veprimet tona janë të ligjshme për të parandaluar një të keqe që po i pret qytetarët, pa asnjë mundësi për të kërkuar mundësi të tjera për të përballuar këtë gjendje e cila është pasqyra e vërtetë e kësaj shumice parlamentare, që po vazhdon edhe tash në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Deputeti i LDK-së ka thënë se nuk mund të bëhen pjesë e kësaj loje, përkundër numrave që ka Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje, përkundër numrave të plotë dhe mbështetjes që e kanë tani edhe nga Lista Serbe. E keni parë se katër komunat me shumicë serbe nuk përfshihen në rritje dhe kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Bashkë me qytetarët mendojmë se kjo qeveri duhet të ndëshkohet”, ka deklaruar Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ismet Rashiti (Masakrës së “harruar” të Trenajve të vitit…