Dështimi i thellë në diplomaci, sanksionet e BE-së, mungesa e stabilitetit politik dhe dështimi ekonomik janë realiteti i Kosovës 2024
Safet Gërxhaliu
Partneriteti me aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike evropiane, është parakushti dhe garancia e ecjes së Kosovës në rrugën drejt Këshillit Evropian, BE-së dhe NATO-s.
Republika e Kosovës është e arritura më e madhe kombit e paguar me gjak dhe sakrificë, prandaj fati i saj nuk duhet të mbetet në duart e praktikantëve politikë pa dijeni e me radikalizëm e militantizëm partiak e politik.
Viti 2024 karakterizohet me sfida të shumta, teste të rrezikshme dhe eksperimente politike që kanë prekur të gjitha aspektet e jetës ekonomike, politike, integruese, sociale dhe diplomatike të Republikës së Kosovës. Pavarësisht prej aspiratave për zhvillim dhe integrim më të thellë ndërkombëtar, ngjarjet e këtij viti kanë theksuar dobësitë strukturore të vendit dhe kanë nxjerrë në pah domosdoshmërinë e një qasjeje të re dhe më të qëndrueshme drejt reformave.
Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2024 ka qenë në një trajektore sfiduese, me një bilanc tregtar që mbetet negativ dhe eksportet që ranë mbi 6 %. Kjo rënie thekson mungesën e kapaciteteve prodhuese, inovacionit, standardizimit dhe konkurrencës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Sektori privat, që duhet të jetë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, është ballafaquar me sfida të shumta. Politikat e paqarta dhe shpeshherë të dëmshme të qeverisë, së bashku me mungesën e dialogut konstruktiv, kanë rezultuar në mbyllje masive të bizneseve të vogla dhe të mesme. Qasja majtiste qeveritare për barazi në varfëri dhe një luftë direkte me bizneset kanë ngufatur këtë sektor me pasoja të mëdha edhe në të ardhmen.
Transferimi i kapitalit jashtë vendit ka krijuar një klimë pasigurie, duke ngushtuar mundësitë për investime të reja dhe duke rënduar perspektivat e zhvillimit.
Inflacioni, edhe pse me një ulje nominale, vazhdon të rëndojë mbi fuqinë blerëse të qytetarëve. Familjet janë detyruar ta shkurtojnë konsumin e produkteve bazë për ta përballuar rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve të tjera. Kjo situatë e vështirë ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe në stabilitetin social.
Papunësia vazhdon të jetë një plagë e hapur për Kosovën, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Ndërsa statistikat zyrtare tregojnë një ulje të papunësisë, kjo është kryesisht rezultat i migrimit masiv të fuqisë punëtore drejt vendeve perëndimore. Ky fenomen ka krijuar boshllëqe serioze në tregun e punës, duke ndikuar negativisht në produktivitet dhe në mungesën e ekspertëve të kualifikuar në sektorë të rëndësishëm.
Një nga sfidat më kritike të vitit ka qenë sektori energjetik. Politikat për subvencionimin e pajisjeve termike për familjet rezultuan të pamjaftueshme për t’i përballuar nevojat energjetike të vendit. Gjatë muajve të dimrit kriza energjetike u përkeqësua, me ndërprerje të shpeshta të furnizimit dhe rritje të ndjeshme të çmimeve. Kjo situatë ka rënduar jo vetëm familjet, por edhe bizneset, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e tyre.
Mungesa e investimeve në arsim dhe mosrealizimi i premtimeve për ndërtimin e çerdheve dhe institucioneve profesionale kanë kufizuar mundësitë për zhvillim dhe punësim.
Arsimi profesional, që duhet të jetë një motor i integrimit të të rinjve në tregun e punës, vazhdon të mbetet një sektor i lënë pas dore.
Në sektorin e shëndetësisë mungesa e barnave esenciale dhe investimeve ka rënduar gjendjen e qytetarëve. Motivi i ulët i personelit shëndetësor dhe kushtet e punës kanë ndikuar në cilësinë e shërbimeve shëndetësore, duke thelluar pakënaqësitë sociale.
Në arenën ndërkombëtare, Kosova ka përjetuar një përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët strategjikë. Sanksionet nga Bashkimi Evropian dhe tensionet e tjera diplomatike kanë ndikuar në rënien e investimeve të huaja dhe në perceptimin e Kosovës si një vend i pasigurt për të bërë biznes. Këto zhvillime theksojnë rëndësinë e një diplomacie aktive dhe efektive për përmirësimin e raporteve ndërkombëtare dhe për të tërhequr investime të reja.
Viti 2024 duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim të thellë për drejtuesit e vendit dhe për shoqërinë e Kosovës. Reformat strukturore në ekonomi, mbështetja për sektorin privat, përmirësimi i sistemit arsimor dhe një strategji afatgjatë për stabilizimin energjetik dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare janë prioritete që nuk mund të anashkalohen.
Kosova ka potencialin për t’u shndërruar në një histori suksesi në Ballkan, por kjo kërkon një qasje më serioze dhe të qëndrueshme ndaj reformave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Nëse këto sfida trajtohen me vendosmëri, viti 2025 mund të jetë një pikë kthese për vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit diplomatik.
Dështimet e diplomacisë politike dhe ekonomike nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës duhet të ndërpriten dhe të kërkohet përgjegjësi individuale dhe institucionale.
Lufta për pushtet e jo për shtet e qytetarë është shndërruar në sëmundje të pashëruar për Kosovën.
Sa bëjmë për shtetin aq të fortë do ta kemi Republikën e Kosovës.