Dështoi iniciativa për largim të kryetarëve në komunat veriore
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, tha se iniciativa për largimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.
Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.
Sipas Radoniqit, në total kanë votuar 253 persona prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.
Në Leposaviq votuan 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.
Të gjitha qendrat e votimit – 23 – u mbyllën të dielën në orën 19:00.
Ky proces u organizua teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës”.