Dështoi marrëveshja PS-PD për presidentin, raundi i dytë i votimit drejt skadencës
Raundi i dytë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës në presidencën e Shqipërisë më shumë gjasa do të digjet, pasi kanë mbetur edhe pak orë nga afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar ka vendosur që sot deri në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit dhe më tej nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht paradite që të shqyrtojë emrat dhe pasdite kuvendi për votim.
Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes maxhorancës dhe opozitës janë ndërprerë, pasi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka thënë se PS-ja ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus. I njëjti pretendim vjen dhe nga ana e PS-së.
Kurse, PD-ja ka thënë se PS-ja është tërhequr nga dokumenti i PD-së, me të cilin sipas tyre vetë Balla ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve.
Sipas PD-së, PS-ja është tërhequr nga pakti pasi pa emrat e kandidatëve për President, të cilët nuk mund t’i “joshte”, raporton “Abcnews.al”.
Ndërsa Kuvendi nesër do të zhvillojë seancën plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri.