Dështojnë bisedimet për lirimin e personave të rrëmbyer nga IS-i
Bisedimet në mes të forcave qeveritare siriane dhe grupit militant, Shteti Islamik (IS), për këmbimin e të burgosurve në jug të Sirisë, kanë dështuar, pasi IS-i ka dalë me kushte të reja, thanë sot aktivistët.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, tha se këto negociata kishin për qëllim që të arrihej një marrëveshje me IS-in, që grupi militantë të lironte pengjet civile, rreth 30 gra dhe fëmijë që u rrëmbyen javën e kaluar gjatë luftimeve në provincën jugore, Sweida.
Në këmbim të lirimit të pengjeve, Qeveria siriane ishte e gatshme që të lironte 150 luftëtarë të IS-it dhe të hapte një korridor që të mund të largoheshin militantët nga kjo zonë, raporton “Rel”.
Aktivistët thonë se marrëveshja dështoi pasi IS-i kërkoi tërheqjen e plotë të trupave siriane nga Sweida.
Vëzhguesi Sirian tha se forcat qeveritare siriane, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje, rinisën sulmet ajrore në zonat në afërsi të Lartësive Golan, territor i okupuar nga Izraeli, ku gjenden të rrethuar militantët e IS-it.