Dështojnë përpjekjet e ShBA-së për ta dënuar Hamasin në OKB
Një tentim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dënuar grupin islamik Hamas për nisje të raketave nga Gaza në Izrael ka dështuar të fitojë vota të mjaftueshme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Një draftrezolutë më 6 dhjetor ka marrë 87 vota për dhe 58 të tjera kundër, mirëpo nuk ka arritur të fitojë dy të tretat e nevojshme për t’u miratuar.
Nëse do të miratohej kjo draftrezolutë do të kishte qenë dënimi i parë zyrtar i Hamasit nga OKB-ja.
Pak para votimit, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley e ka cilësuar votimin hap të rëndësishëm për arritje të paqes në Lindje të Mesme dhe u ka bërë thirrje anëtarëve për të mbështetur këtë dokument.
Rezoluta e prezantuar ka synuar të dënojë organizatën ekstremiste palestineze për nisje të vazhdueshme të raketave në Izrael dhe nxitje të dhunës, duke vënë civilët në rrezik.