Dështojnë përpjekjet për formimin e qeverisë në Itali
Italia ka hyrë në krizë politike pasi presidenti i këtij shteti, Sergio Mattarella nuk ka miratuar propozimin e partive populiste për zgjedhjen e Paolo Savonas në pozitën e ministrit të ekonomisë, duke rrezikuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ky hap i presidentit italian më 27 maj ka detyruar të përzgjedhurin e populistëve për kryeministër, Giuseppe Conte, të heqë dorë nga përpjekjet për të formuar qeverinë e re.
Në një fjalim kombëtar, Mattarella ka thënë se ai ka refuzuar të emërojë 81-vjeçarin Savona me arsyetimin se ky person do të kishte ndikim negativ në tregun financiar dhe ekonominë italiane.
“Ministri i Ekonomisë gjithmonë krijon mesazh besimi ose alarmi” për tregjet financiare”, ka thënë Mattarella, raporton “Rel”.
Ai ka shtuar se ka kërkuar ndonjë person që “nuk do të provokonte në mënyrë të pashmangshme daljen e Italisë nga euro”.
Savona e ka cilësuar euron si “kafaz gjerman” duke thënë se Italisë i duhet një plan për të larguar këtë valutë “nëse është e nevojshme”.