Dështojnë seancat gjyqësore, ato online veç “në plan”

20 gusht 2020 | 12:10

Në gjykatat e Kosovës një numër i madh i seancave nuk po mbahen ose edhe po dështojnë si pasojë e pandemisë. Aty po trajtohen vetëm rastet urgjente, kurse ende po punohet në planin për kalimin e mbajtjes së seancave në formën online. Në këtë periudhë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, efikasiteti i punës ka rënë në masë të madhe.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se aktualisht gjykatat e Kosovës punojnë me kapacitete të limituara për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të pushimeve verore. “Kemi vështirësi shumë. Ka shumë seanca që po dështojnë për shkak të pandemisë. Në seanca nuk paraqiten dëshmitarë, nuk paraqiten mbrojtësit e të akuzuarve…”, ka thënë kryesuesi i këtij këshilli, Skënder Çoçaj.
Ai ka shtuar se momentalisht punohet vetëm me lëndë të caktuara dhe që janë më urgjente. “Fokusi kryesor është te lëndët me paraburgim, te lëndët e shënjestruara, te lëndët që janë në rrezik që ta kalojnë afatin prej tre muajsh, siç janë lëndët penale dhe rastet e dhunës në familje”, ka deklaruar Çoçaj.
Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se po punohet me staf të reduktuar, por po përpiqen që të mos dështojnë seancat e rasteve urgjente. “Po punohet sidomos për rastet që kanë të bëjnë me paraburgim ose rastet që kanë të bëjnë me shkeljet e detyrave zyrtare”, ka thënë Hyseni.

IKD: Gjyqtarët po dështojnë t’i administrojnë seancat

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se që nga marsi i këtij viti kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus, efikasiteti i punës në sistemin e drejtësisë ka rënë në masë të madhe.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se jo rrallëherë gjyqtarët nuk ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësit e tyre në raport me prokurorët dhe avokatët apo edhe palët e tjera në procedurat gjyqësore. “Gjyqtarët nuk janë në gjendje t’i kontrollojnë dhe të administrojnë seancat gjyqësore dhe jo rrallëherë vjen edhe deri te shtyrja e seancave gjyqësore. Në bazë të Kodit Penal dhe ligjeve të tjera që rregullojnë çështjet civile dhe administrative, gjyqtarët mund të shqiptojnë gjoba, mund të marrin masa ndaj prokurorëve dhe palëve në procedurë nëse nuk e respektojnë autoritetin e gjykatës. Fatkeqësisht gjyqtarët këtë të drejtë nuk e zbatojnë në praktikë asnjëherë, e që ndikon në uljen e autoritetit të tyre, e me këtë edhe në mosmenaxhimin e duhur të seancave gjyqësore”, ka deklaruar Miftaraj.
Ndërkaq kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, ka pohuar se avokatët aktualisht kanë vështirësi të mëdha në ushtrimin e profesionit të tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ai ka thënë se puna e avokatëve është e lidhur ngushtë me punën e gjykatave dhe prokurorive dhe se, sipas tij, seancat në gjykata nuk janë duke dështuar për shkak të mospranisë së avokatëve. “Oda e Avokatëve në anëtarësi të vet ka mbi 1 080 avokatë. Kështu që, sa iu përket avokatëve, nuk shtyhen seancat, mirëpo seancat shtyhet për shkak të vendimeve që kanë marrë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial. Kemi kërkuar që të krijohen kushte për mbajtjen e seancave ashtu siç janë edhe rekomandimet e institutit [IKShPK-së], me qëllim që të ruhet shëndeti dhe të mos bëhet shkelje e të drejtave dhe lirive të personave të cilët janë në procedurë, e që kanë nevojë edhe për avokat”, ka thënë Ejupi.

Seancat online, në pritje të planit

Drejtuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor thanë për “Radion Evropa e Lirë” se ende janë duke punuar rreth planit për fillimin e mbajtjes së seancave gjyqësore në formën online, por diçka e tillë nuk ka nisur ende.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, thotë se për mbajtjen e seancave online po shikohen në radhë të parë aspektet ligjore dhe ato teknike. “Duhet të ketë gatishmëri edhe nga të gjitha palët që të marrin pjesë në seanca online. Ne jemi në diskutime me Këshillin Prokurorial, me Prokurorin e Shtetit, me Odën e Avokatëve në mënyrë që të organizohemi që qysh nga shtatori… nuk po them menjëherë sepse tash shtatori gati erdhi, por në shtator do të fillojmë me seanca gjyqësore online”, ka thënë Çoçaj.
Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë problem, i cili gjyqësorin po e përcjellë në vazhdimësi për dy dekada.
Në një raport të Këshillit Prokurorial të Kosovës thuhet se nga gjithsej 806 prokurorë e staf administrativ, 68 persona kanë qenë të infektuar me koronavirus, kurse deri në fundjavën e kaluar, 23 nga ta vazhdojnë të jenë ende pozitivë me koronavirus.
Prokuroritë e Kosovës aktualisht po punojnë me staf të angazhuar deri në 40 për qind, të cilët janë me punë në zyra, kurse pjesa tjetër punon nga shtëpitë. Ndërkaq, sipas të dhënave nga Këshilli Gjyqësor, aktualisht 32 persona, zyrtarë ligjorë dhe gjyqtarë janë të infektuar me koronavirus, ndërsa 4 të tjera janë në vetizolim pasi kanë pasur kontakte me persona të infektuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…