Dështon Chelsea, fiton City
Chelsea ka lëshuar fitoren nga duart në përballjen me Sheffield Unitedin në xhiron e katërt të Premier Ligës.
Ekipi i Frank Lampardit ishte në epërsi prej dy golash pas pjesës së parë. Tammy Abraham realizoi në minutat 19 dhe 43 për 2 me 0, por mysafirët arritën në fund të dalin me një pikë nga “Stamford Bridge”. Callum Robinson ngushtoi epërsinë në minutën e 46-të, ndërsa Kurt Zouma realizoi gabimisht në portën e tij për të barazuar gjithçka në 2 me 2 në minutën e 89-të. Pas katër ndeshjeve deri tash, “Blutë” kanë vetëm pesë pikë në tabelë.
Kampioni i Anglisë, Manchester City, ka fituar thellë në xhiron e katërt ndaj Brightonit. Kevin De Bruyne hapi serinë e golave në fitoren 4 me 0. Dy gola të tjerë i realizoi Sergio Aguero, ndërsa i fundit u shënua nga Bernardo Silva. Pas katër xhirosh, “Qytetarët” kanë 10 pikë, me tri fitore e një barazim.