Dështon formimi i komisioneve parlamentare
Ka dështuar votimi për formimin e 14 komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Kjo pasi votimi nuk ishte i vlefshëm për shkak të mungesës së kuorumit, gjë që bëri që kryeparlamentarja Vjosa Osmani ta thërrasë mbledhjen e Kryesisë për në orën 13:00 për të diskutuar rreth kësaj çështje.
Seanca e parë e rregullt e Kuvendit të Kosovës u zhvillua midis kritikave që vinin nga opozita për Kryesinë e Kuvendit.
Shefi i grupit parlamentar AAK-PSD, Daut Haraidnaj, ka shprehur paqartësinë e tij lidhur me ndarjen e komisioneve dhe anëtarët e tyre.
“Në draft propozim nuk e di se si e keni trajtuar Listën Serbe dhe 6 +? E keni trajtuar si pozitë apo opozitë?”.
“Ndarja proporcionale në komisione nuk është e saktë me numrin e deputetëve shumicë në opozitë, me PDK-në, AAK-në dhe Nisma”, ka thënë ai.
Haradinaj theksoi se ndryshimet eventuale për Komisionet Parlamentare duhet të bëhen me 2/3 e votave të Kuvendit, përndryshe ka shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Kryeparlamentarja Osmani ia ka kujtuar Haradinajt se propozimi për 14 Komisione Parlamentare ishte votuar unanimisht në Kryesinë e Kuvendit, mbledhje të cilën e kishte bojkotuar PDK-ja.
“Meqë numri i komisioneve zvogëlohet, kjo nënkupton që duhet të ndryshohet Rregullorja e Kuvendit. Rrjedhimisht do të kërkohet me votim me 2/3 në Kuvend. Kryesia e Kuvendit thjeshtë ka propozuar që të zvogëlohet numri i komisioneve parlamentare”, ka thënë Osmani.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka pohuar se kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentareve ndahen proporcionalisht me fuqinë politike në Kuvend.
Propozimi për formimin e 14 komisioneve parlamentare është mbështetur nga LV-ja, për te cilin ka folur shefi i grupit parlamentar, Rexhep Selimi.
Bedri Hamza nga partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ka drejtuar kritika ndaj Kryesisë së Kuvendit se kanë marrë ftesat me vonesë për mbledhje të kryesisë si dhe për mbajtjen e seancës konstituive.
Ai ia ka përmendur pushtetit edhe Listën Serbe.
“Me Listën Serbe keni thënë se nuk keni marrëveshja por po del që keni marrëveshje. Votat e tyre kanë qenë përcaktuese për zgjedhjen tuaj”, ka thënë Hamza, duke iu referuar Osmanit.
Lidhur me këtë është deklaruar edhe Albulena Balaj Halimaj nga Nimsa, e cila ka thënë se nuk ka pranuar fare ftesë për seancën konstituive.