Dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, shkak mungesa e deputetëve të LV-së

04 tetor 2023 | 10:57

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e ftuar për konstituimin e Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Kjo mospjesëmarrje e ka bërë të pamundur që të mbahet mbledhja e këtij komisioni ngase në sallë ishin vetëm deputetët e opozitës.

Ata kanë vendosur që mbledhja të mbahet sërish në ora 15:00.

Kryesuesi i këtij komisioni, Rashiti Qalaj, ka thënë se edhe përkundër që kanë pritur më shumë se 15 minuta asnjë nga deputetët e LV-së nuk është paraqitur në mbledhje. Për këtë ai ka kërkuar që mbledhja të mbahet sërish.

Ai madje ka bërë me dije se është takuar me deputetin Armend Muja, i cili i ka thënë se do të shkonte në Komisioni për Buxhet.

“Mungojnë deputetët nga LV-ja dhe nuk kemi mundësi që të bëjmë konstituimin për shkak të koriumit, mendoj që kemi pritur mjaftë, nuk mund të pritet mbi 15 minuta apo 20 minuta”.

“E kam takuar deputetin Armend Muja, më tha se jam duke shkuar në Komision për Buxhet e më tha se do të lajmërohem, më pas nuk është lajmëruar fare. Nëse nuk formohet në ora 15:00 do të kemi takim nesër dhe pasnesër”, ka thënë Qalaj.

Drejtues i këtij Komisioni është deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, derisa zëvendëskryeseuese është deputetja Valentina Bunjaku e LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje është me pesë anëtarë, PDK-ja dhe LDK-ja me nga dy, ndërsa AAK-ja dhe grupet joshumicë me nga një përfaqësues, do të jenë pjesë e këtij komisioni.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me shkarkimin e kryetarit Kevin McCarthy, Dhoma e Përfaqësuesve e…