Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, shkak mungesa e kuorumit
Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.
Në pikë të rendit të ditës ishte diskutimi rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.
Të pranishëm ishin Driton Hyseni, Halil Thaçi, Salih Zyba të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Valentina Bunjaku – Rexhepi e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputeti i LV-së, Driton Hyseni, ka pasur kritika për mungesë të opozitës. Ai ka thënë se në mbledhjen e mëhershme janë marrë vendime pa u konsultuar mazhoranca.
“Nuk kemi kushte për fillimin e punës së këtij takimi mirëpo konsideroj të papranueshme thirrjen e mbledhjes së komisionit hetimor dhe mos gatishmërinë e opozitës për të marrë pjesë në këtë mbledhje. Gjithsesi ne do dëshironim të trajtonim disa çështje që kanë rrjedh nga mbledhja e fundit e Komisionit Hetimor, çështjet të cilat nuk kanë filluar mirë vendimmarrjen në këtë komision. Nga koleget e opozitës janë marrë hapa në mënyre të njëanshme duke dërguar shkresa pa ndonjë vendimmarrje të komisionit hetimor”.
“Konsideroj që mungesa e sotëm është mungesë serioziteti pa marrë parasysh angazhimeve të tjera. Mbledhja është thirr nga kryesuesi zotëri Qalaj dhe unë nuk e di pse është dashur të thirret mbledhja kur të paktën ai e ka dit qe është jashtë vendit. Ne koleget këtu jemi prezentë për të shprehur gatishmërinë për trajtimin e subjektit i cili kuvendi Kosovës na ka mandatuar ta trajtomë pra hetimin e çështjes së rezervave shtetërore, respektivisht pretendimet që janë dhënë nga opozita që mund të kemi ndonjë keqpërdorim të mundshëm nga këto rezerva”, ka thënë Hyseni.
Ndërsa e deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila e ka kryesuar këtë mbledhje, ka thënë se për mungesë të Qalajt ka qenë e njoftuar. Ajo ka thënë se fajtor për dështim të mbledhjes janë edhe deputetët e LV-së.
“Nuk bën me luajt rolin duke u viktimizua që jeni të interesuar me zbardh të vërtetën sepse ne si opozitë ju kemi ftuar që katër muaj dhe katër muaj na kanë dështuar mbledhjet e komisionit dhe opozita këtë rast është hera parë që e ka dështuar mbledhjen është hera parë që ka munguar. Tjetër është që kanë dështuar mbledhjet mes përplasjeve, por me prezencë është hera parë si opozitë që po mungojmë, kështu që nuk është mirë me luajt rolin e viktimës që ju jeni të interesuar me zbardhë të vërtetën”.
“Mos u bëni viktimë se është hera e parë që kanë munguar si opozitë. Ku ishit ju që katër muaj”, ka thënë Bunjaku – Rexhepi.
Por, për mungesën e deputetëve të pozitës, ka reaguar deputeti i LV-së, Driton Hyseni. Ai ka thënë se bojkoti i tyre ndërlidhet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Hyseni ka theksuar se në momentin që kanë kaluar ato, kanë qenë pjesëmarrës në mbledhje. /EO