Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për tekstet shkollore, s’marrin pjesë deputetët e LV-së
Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, për shkak se nuk ishin prezentë deputetët e Vetëvendosjes.
Në këtë mbledhje e paraparë ka qenë që të intervistohen Fadile Dyla, sekretare e përgjithshme e MASHTI; Avni Rexha, U.D. drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar dhe Genc Hamzaj nga ASHI.
Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dereshaj, ka thënë se kanë qenë të gatshëm që t’i përfundojnë intervistimet e dëshmitarëve dhe ky proces të mbyllet me një raport final.
“Si e shini edhe sot do të dështoj kjo mbledhje për shkak të mungese së kuorumit. Kemi qenë të përgatitur që t’i intervistojmë dëshmitarët dhe të mbyllim procesin drejt një raporti filan për të gjeturat e shumta”, ka thënë Dreshaj.
Ndërsa deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka thënë se bojkoti i deputetëve të mazhorancës nuk do ta ndal hetimin dhe dyshimet mbi këtë proces.
Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Ardian Kastrati, ka thënë se duke mos dashur që të dalin dyshimet që kanë për këtë proces, sipas tij, “pushtoi mafioz i organizatës mafioze të quajtur LV” është duke i bojkotuar këto mbledhje.
“Pushteti mafioz i organizatës mafioze të quajtur LV, sot nuk ka ardhur për këtë qëllim. Nga 4 milionë të planifikuar këta kanë kapërcyer në 11 milionë, e këtu ka dyshime të hatashme”, ka thënë ai. /EO