Dështon mbledhja e Komisionit për legjislacion, ‘përplasen’ Haxhiu e Sherifi
Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës nuk e ka mbajtur mbledhjen e paraparë për të martën.
Në mesin e pikave që janë propozuar në fillim të kësaj mbledhje ka qenë edhe ajo e deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, që të diskutohet për buxhetin e Kosovës.
Ky propozim nuk është përkrahur nga deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së. Deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se pjesa e të pakënaqurve nuk duan ta fusin diskutimin për buxhet në rend dite.
“Ajo që duhet të bëhet sot është të shkohet në rend dite dhe të votojmë për apo kundër. Ju jeni kundër për arsye të juaja, por nuk është e rrugës që Komisioni për legjislacion të mos ketë mendim për ligjin për buxhet për këtë vit”, ka thënë Sherifi.
Ndërsa, kryesuesja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky është një qëndrim i opozitës dhe nuk ka nevojë për shqetësime.
Kurse Sherifi i ka thënë Haxhiut se ajo po bën propagandë me çështjen e diskutimit të buxhetit.
“Ti po ke qejf me bë propagandë dhe t’i thuash të gjitha gjërat për buxhetin, por nuk dëshiron ta futësh në rend dite. Deri tani asgjë përtej aspektit personal nuk fola. Përderisa ju nuk po doni të merrni pjesë në çështjen e buxhetit, ju nuk po ndaleni tek procedurat, por tek përmbajtja e këtij ligji. Askush nuk ua mohon të drejtën për të mos marr pjesë në votim”, është shprehur Sherifi.
Haxhiu pas replikës së Sherifit i ka thënë këtij të fundit se ekziston mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje.