Dështon mbledhja e Kryesisë, Tahiri: Pas rezultatit të fundit zgjedhor, mazhoranca s’ka shumë vullnet me qenë në Kuvend
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka thënë se nuk kanë arritur që ta caktojnë seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij në mbledhje të Kryesisë ka munguar pozita.
“Sot është paraparë që të kemi mbledhje të Kryesisë dhe ta thërrasim seancën e radhës. Siç duket pas rezultatit të fundit zgjedhor, mazhoranca nuk ka shumë vullnet me qenë në Kuvend dhe nuk ka vullnet me e shty agjendën parlamentare përpara. Megjithatë ne u bëjmë thirrje që të vijnë sepse e kanë obligim ligjor e kushtetues që të jenë prezent”, ka thënë ai.
Më tutje, Tahiri ka folur edhe për një ndër pikat që është pjesë e rendit të ditës të kësaj seance të Kuvendit.
“Në seancën e radhës një prej çështjeve më të rëndësishme që kemi pasur për ta diskutuar janë dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Me mungesën e një gjyqtari, gjykata nuk ka kuorum”, ka thënë ai.