Dështon miqësorja Shqipëri – Kosovë
Pavarësisht prej marrëveshjes në mes të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për zhvillimin e një miqësore në tokë neutrale, duket se ndeshja e programuar këtë vit do të dështojë.
Federata zvicerane duhej ta siguronte lejen për zhvillimin e kësaj ndeshje miqësore, por helvetikët nuk pranojnë, me pretendimin e se cenon sigurinë. Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, në një intervistë për “KosovaPress”, ka thënë se miqësorja ndaj Shqipërisë është pranë anulimit.
“Po, afër anulimit, sepse Federata e Futbollit Zviceran nuk e ka dhënë lejen. Tashmë duhet vetëm njoftimi zyrtar për anulimin e miqësores që ishte programuar në fund të këtij muaji. Edhe opsionet për zhvendosjen e miqësores në një stadium tjetër po bien dita-ditës”, ka thënë Vokrri. Lajmi është konfirmuar për “Top Channel” edhe nga presidenti i FShF-së, Armand Duka. “Po, është e vërtetë ajo që ka deklaruar presidenti Vokrri. Jemi duke kërkuar mundësi të tjera për të shfrytëzuar këtë periudhë sa më mirë për ekipin dhe trajnerin”, ka thënë Duka.