Dështon miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike
Në mungesë të vendimmarrjes ka dështuar në Kuvendin e Kosovës votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Këtë projektligj e ka arsyetuar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, zyra e kryeministrit ka organizuar tryezë diskutimi, por sipas tij, vetëm dy grupe parlamentare i janë përgjigjur ftesës.
Kryeministri Kurti ka thënë se në këtë mënyrë konsensusi nuk është arritur.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se përmes Projektligjit të financimit të partive politike rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut dhe më këtë vota arsyetohet.
Sipas tij, shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin jashtëligjshëm të partive politike dhe ndërlidhjes me korrupsionin.
“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane për reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si qeveri jemi zotuar se do ta sjellim këtë projektligj në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive që këtë projektligj ta miratojmë sa më parë. Ky projektligj është i domosdoshëm për transparencën e financimit të partive politike e me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit. Për ne është e rëndësishme që projektligji të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale”, ka thënë ai.
Për projektligjin në fjalë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj parti nuk e mbështet, pasi sipas tij është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ai ka thënë se projektligji duhet të harmonizohet me Kushtetutën dhe ligjet ngase në këtë formë nuk arrihet llogaridhënia dhe transparenca e subjekteve politike.
“Të njëjtin projektligj që ka qenë kaq kundërshtues atëherë tash e keni sjellë pa asnjë ndryshim, ku po pretendoni se gjoja se po vendosni rregull me ketë projektligj. Kjo situatë nuk po iu bën nder, sepse ju po e paraqitni veten si të padijshëm atëherë, ndërsa sot si mashtrues. Ky projektligj duhet të punohet në mënyrë të harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Kështu siç është hartuar nuk arrihet ajo që synohet për transparencë, llogaridhënie të subjekteve politike dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Si i tillë, ne si grup parlamentar nuk e mbështesim”, është shprehur Lushtaku.
Derisa është shqyrtuar ky projektligj, deputetët e LDK-së nuk ishin prezent në seancën plenare.