Dështon përpjekja për formimin e qeverisë në Bosnje e Hercegovinë
Takimi në Sarajevë ndërmjet anëtarëve të presidencës trepalëshe, Shefik Xhaferoviq, Zhelko Komshiq dhe Milorad Dodik ka përfunduar pa një marrëveshje për formimin e kabinetit të ri, sepse Dodiku ishte kundër një pakete, që do të përfshinte edhe miratimin e një plani që do të afronte Bosnjën drejt anëtarësimit në NATO.
Bosnja në vitin 2010 iu bashkua planit të veprimit për anëtarësimin në NATO, një hap i parë drejt anëtarësimit përfundimtar në aleancë.
Në dhjetor të vitit 2018, ministrat e Jashtëm të NATO-s ranë dakord të aktivizojnë programin e këshillave dhe asistencës së aleancës dhe të paraqesin planin e parë vjetor kombëtar.
Sidoqoftë, Dodiku ka qenë përgjithmonë kundër hyrjes së Bosnjës në NATO-ja, duke këmbëngulur për të ruajtur një status neutraliteti.
Mosmarrëveshjet midis serbëve pro-rusë të Bosnjës dhe dy grupeve të tjera etnike mbi marrëdhëniet e ardhshme të Bosnjës me NATO-n mund të zhysin vendin në një krizë më të thellë.
Një marrëveshje midis përfaqësuesve të tre grupeve kryesore etnike serb, kroat dhe boshnjak është thelbësore, sepse mungesa e një qeverie ka shkaktuar ngecje në zhvillimin ekonomik të vendit, që ende po përpiqet të rimëkëmbet pas luftës shkatërruese të viteve 1992-95.