Dështon raketa satelitore e Iranit ende pa mbërritur në orbitë
Irani ka bërë me dije se e ka nisur një raketë satelitore për në orbitë mirëpo ajo ka dështuar të arrijë në destinacion.
Veprimi i Iranit, vjen pas paralajmërimeve në rritje nga Shtetet e Bashkuara, se testet iraniane me raketa përbëjnë shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.
Ministri i Telekomunikacionit, Mohammad Javad Azari Jahromi, i ka thënë televizionit shtetëror se raketa me satelit nuk ka arritur “shpejtësinë e nevojshme” në fazën e tretë të nisjes.
Ai nuk ka treguar se çfarë e ka shkaktuar dështimin, por është zotuar se shkencëtarët do të vazhdonin hulumtimet e tyre.
Irani është zotuar të dërgojë dy satelitë në orbitë.
Teherani po përballet me paralajmërime gjithnjë e më të ashpra nga administrata e presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, ka thënë se planet e Iranit demonstrojnë kundërshtimin e vendit ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë i bën thirrje Iranit të mos ndërmarrë veprimtari në lidhje me raketat balistike të afta për të mbajtur armë bërthamore.
Irani këmbëngul se testimet nuk e shkelin rezolutën.
Uashingtoni dhe aleatët e saj shqetësohen se e njëjta teknologji për lëshimin e satelitëve mund të përdoret për zhvillimin e raketave bërthamore. /Rel/