Dështon rritja e pagës minimale
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë me dije se nuk ka kaluar propozimi për pagën minimale që parashihej të jetë 264 euro.
Murati në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se rritja e pagës minimale është kundërshtuar nga Këshilli Ekonomik Social (KES). Më tutje, Murati ka kundërshtuar përfaqësuesit e sindikatave për mospërkrahjen e propozimit për rritjen e pagës minimale.
“Sapo përfunduam takimin e Këshillit Ekonomik Social ku pikë e rendit të ditës ishte miratimi i propozimit për pagën minimale. Përllogaritja sipas udhëzimit administrativ që u prezantua para KES ishte 240.2 euro/muaj. Megjithatë, ne si qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi. Megjithatë, propozimi nuk morri votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën. Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mosvotim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka shkruar Murati.