Dështon sërish konstituimi i komisionit hetimor për rezervat shtetërore
Për herë të gjashtë ka dështuar të konstituohet Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore, kjo për shkak mungesës së deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryesuesi i këtij komisioni, Rashit Qalaj tha se nga zyra ligjore përmes shkresës që i kanë dërguar kanë marrë një opinion, porse që nuk sqaron asgjë.
“Kemi marrë opinion që nuk sqaron asgjë, është opinion që shton konfuzitetin, vetëm se janë përmendur detyrimet e deputetëve, por nuk kanë sqaruar se çfarë mund të bëjmë, nëse mund t’i zëvendësojmë deputetët nga partia e njëjtë. Mungesa e kolegëve po e pamundëson mbajtjen e këtij komisioni. Në mbledhjen e ardhshme do të vendosim nëse do të bartim këtë çështje në Kuvend ose do të vazhdojmë tutje në konstituimin e tij”, tha ai.
Ndërkaq deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka vendosur disa letra, në të cilat ka shënuar pagat të secilit prej këtyre deputeteve që marrin nga Kuvendi.