Dështon shqyrtimi i Projektligjit për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mungesë të kuorumit ka dështuar që ta shqyrtojë Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Kosovë të viteve të ’90-ta.
Në këtë mbledhje të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), raporton “Epoka e re”.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, u ka kërkuar falje të gjithë të pranishmëve për dështimin e kësaj mbledhje.
“Na vjen keq për dështimin e kësaj mbledhje, sepse shumica e anëtarëve mungojnë. Kjo mbledhje do të mbahet gjatë kësaj jave dhe do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Kurteshi.
Në mbledhjen e këtij komisioni të pranishëm ishin Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Arbërie Nagavci, Driton Çaushi dhe Verica Ceranoc.
/A.SHEFKIU/