Dështon tenderi 4 milionësh për furnizim me grurë për nevoja të Rezervës Shtetërore
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka anuluar tenderin 4 milionësh për furnizim me grurë për nevoja të Rezervës Shtetërore, me të cilin parashihej të furnizohej me mbi 13 mijë tonë grurë.
Tenderi ishte shpallur nëntor të vitit 2024. Në dosjen e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit të MINT thuhet se kompania e rekomanduar është tërhequr dhe se ky aktivitet i prokurorimit do të tenderohet me vlera tjera këtë vit, meqë s’kishte pasur buxhet të planifikuar për këtë procedurë me këtë shumë vitin që shkoi.
“Për shkak që OE i rekomanduar është tërhequr dhe nuk ka mundur që të përfundoj ky aktivitet i prokurimit për vitin 2024 dhe njëkohësisht pranimin e njoftimit nga DPRSHM se nuk ka buxhet të planifikuar për këtë procedurë sipas shumës së tenderuar në vitin 2024 dhe se ky aktivitet i prokurorimit do të tenderohet me vlera tjera për vitin 2025”, thuhet në dosjen e tenderit.
Për këtë tender kishin ofertuar katër kompani, dy prej të cilave kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për këtë tender.
Kompanitë që kishin ofertuar janë: “Industria e Miellit 3A SH.P.K” me çmim 3 milionë e 699 mijë e 267 euro, “Euro Ver SH.P.K” me çmim 4 milionë e 363 mijë e 530 euro, “Amidoni Group” me çmim 4 milionë e 226 mijë e 582 euro dhe “Barileva” me çmim 3 milionë e 931 mijë e 101 euro.
Dy kompani janë shpallur të papërgjegjshme, e dy të tjera e kanë tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratës. Në dosje nuk figuron se cila kishte qenë kompania që ishte rekomanduar për këtë tender.
Para hapjes së ofertave, disa nga kompanitë kërkuan sqarime mbi disa kritere që i cilësuan si shumë kufizuese. Është theksuar afati 15 ditor për dorëzim të kësaj sasie të grurit, që sipas një kompanie kërkon përdorimin e mbi 534 kamionëve, shkruan Reporteri.
Një prej kompanive kishte thënë se Ministria përmes kritereve të caktuara, po ua pamundëson kompanive vendore aplikimin.
“Duke marre parasysh qe sasia totale prej 13,333 toneve kërkon përdorimin e mbi 534 kamionëve , ky afat prej 15 ditëve duket shume i shkurtë për realizmin praktik te furnizimit, veçanërisht duke konsideruar kufizimet logjistike, kapacitetet e ngarkimit/shkarkimit dhe distancat e mundshme te transportit. A mund te konsideroni një rishikim te këtij afati për te mundësuar pjesëmarrje me efektive te operatoreve ekonomik? Ne si kompani propozojmë qe afati i liferimit te jete se paku 45 dite. Provoja nga tenderi i vitit te kaluar : Duke iu referuar tenderit te vitit te kaluar për një sasi prej 15,000 toneve , i cili kishte një afat prej 10 ditësh dhe qe rezultoi i pasuksesshëm , a është marre parasysh kjo provoje për te përcaktuar një afat me realist për këtë për këtë tender? Nga përgjigja e vitit te kaluar nga autoriteti kontraktues se dëshiron te përfundoj brenda vitit pagesën, por edhe përmbylljen e kontratës, shtrohet pyetja se ku ishte autoriteti kontraktues gjate tere vitit , apo është me e favorshme te thuhet se nuk po ka kompani vendore te cilat po aplikojnë për furnizim , ku ne fakt pikërisht autoriteti kontraktues përmes kushteve te publikuara , pamundëson aplikimin e operatoreve ekonomik vendor”, ishte pyetja që i ishte drejtuar kompanisë.
Për këtë ankesë, përgjigja e MINT ishte “AK-MINT/DRSHM ka planifikuar afatin e liferimit 15 ditë me qëllim të realizimit të kontratës brenda këtij viti fiskal përfshirë këtu edhe realizimin e pagesës.”
Këtë vit, ky tender ishte shpallur me procedurë të hapur, për dallim nga vitet e kaluara.
Në vitin 2022, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit.
Kjo kërkesë qe ishte aprovuar nga Qeveria, ishte bërë nga Departamenti i Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Industrisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën është miratuar kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit. Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, Republika e Kosovës ka rritur sasinë e nevojshme të rezervave në përputhje me Programin për rezervat shtetërore. Ndërkaq vendimi i sotëm ka për qëllim lehtësimin e mëtejmë të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore, sipas nevojave”, thuhej në njoftim.
Prokuroria Speciale vitin që shkoi nisi hetime rastin e rezervave shtetërore pas pretendimeve për keqpërdorime nga ana e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Tre persona, dy zyrtarët e shtetit, Irfan Lipovica dhe Haviz Gara si dhe biznesmeni Rdvan Muharremi u arrestuan nën dyshimin për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore.
Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Garan, të dyshuar në lidhje me keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ishin liruar nga masa e paraburgimit më 31.08.2024 nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit kishte konstatuar se në arsyetimin e Themelores për caktimin e paraburgimit nuk ka pasur mbështetje të artikulueshme mes provave të paraqitura dhe veprimeve të të pandehurve. Sipas vendimit të Apelit në vendimin për caktimin e paraburgimit, më shumë ka pasur shpjegim kronologji të rastit, sesa vlerësim dhe arsyetim mbi faktet që janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit.
Tutje sipas vendimit të Apelit, në caktimin e paraburgimit themelorja ka pranuar në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke mos u vlerësuar arsyeshmërinë e provave në drejtim të ekzistimit të dyshimit të bazuar.
Për këtë rast është intervistuar Ministrja Rozeta Hajdari, teksa ftesë për intervistim i ka shkuar edhe Kryeministrit Albin Kurti, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur kësaj ftese. Ai ka kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.
Ndërsa, Gazeta Paparaci së fundmi ka raportuar se një trafikant droge dyshohet se ka organizuar lidhjet e takimet e Ridvan Muharremit me biznesmenin polak, Tomasz Tokarski, për blerjen e vajit, grurit e misrit, të cilat nuk erdhën kurrë.
Nezir Idrizi, emri i të cilit u bë i njohur nga avokati i Ridvan Muahrremit, Mahmut Halimi, thuhet se ka negociuar në emër të Qeverisë së Kosovës për rezervat shtetërore.
Rezervat shtetërore shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore apo luftës.