Detaje nga rasti ku u mbytën babai me dy djemtë
Një 50-vjeçar bashkë me dy djemtë e tij janë mbytur në bregdetin e Kavajës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në plazhin Vila-Boshtovë.
Janë bërë të ditura detaje shtesë rreth rastit tragjik.
Raportohet se dallgët ishin shumë të mëdha dhe në fillim e kanë rrëmbyer njërin prej djemve.
Ndërkaq, burri bashkë me djalin tjetër tentuan që ta shpëtojnë.
Në një lidhje telefonike, gazetari i ABC News, Leonidha Musaj ka zbuluar detaje më të hollësishme se si ndodhi kjo ngjarje e rëndë.
“Për shkak të rrymave të forta që prodhohen në atë zonë përgjatë mesditës, kanë arritur të shkëpusin kontaktet me njëri-tjetrin teksa ndodheshin pranë e pranë. Fillimisht deti ka arritur të rrëmbejë njërin prej fëmijëve, ndërkohë, i ati 50-vjeçar dhe djali 15-vjeçar janë përpjekur për të shpëtuar djalin 13-vjeçar, por në ato momente situata është vështirësuar edhe më tepër, pasi kanë rrezikuar të mbyten edhe vetë, pasi e kanë patur të pamundur të dilnin në breg sepse dallgët i kanë rrëmbyer edhe më thellë. Janë përpjekur edhe personat e tjerë që ndodheshin në plazh për të ndërhyrë, por për shkak të dallgëve atyre u ka munguar guximi për shkak të dallgëve sepse nuk janë profesionistë dhe e kanë patur të pamundur për t’i shpëtuar. Pak minuta më pas ka ndërhyrë dhe roja bregdetare, e cila ka bërë të mundur gjetjen e trupave të pajetë dhe më pas transportimet e tyre në spitalin e Kavajës, ku po bëhen ekspertizat mjeko-ligjore”, u shpreh Musaj.