Detaje nga të shtënat në Kodrën e Diellit ku u shkrepën mbi 10 plumba
Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Disa të shtëna me armë trazuan banorët e lagjes ‘Kodra e Diellit’ mbrëmë, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se shkëmbyen zjarr mes vete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në cilësinë e provave materiale, në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar mbi dhjetë gëzhoja bashkë me një armë zjarri.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e një dëshmitari të rastit, i cili ka bërë të ditur se disa të rinj kanë janë gjuajtur me armë mes vete pas një konflikti verbal.
Si pasojë e të shtënave, një predhë ka goditur dritaren e një banesë.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.