
Detaje të reja nga vr*sja në Prishtinë – Konflikti dyshohet të ketë nisur në Spanjë
Prishtina u trondit mbrëmë nga të shtënat me armë zjarri në rrugën “Rrustem Hyseni”, ku për pasojë një person mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos. I dyshuari për këtë ngjarje ndodhet ende në arrati, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me rastin.
Viktima është identifikuar si 62-vjeçari Naser Gashi, i cili dyshohet se u qëllua me armë dhe u godit me thikë në gjoks. Ndërsa, personi që mbeti i plagosur është 41-vjeçari Miftar Miftari.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari kryesor për këtë ngjarje është Alban Gashi, ndërsa Policia ka kryer bastisje në banesën e tij. Dyshohet se mes tij dhe të plagosurit ka pasur konflikte të mëhershme, të cilat kanë nisur jashtë Kosovës. Sipas informacioneve, të dy kishin pasur përplasje në Spanjë dhe ishin kthyer në Kosovë vetëm pak ditë më parë.
Gjatë momentit të krimit, i dyshuari mendohet se ka qenë i shoqëruar nga të paktën një person tjetër. Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 12 orë nga ngjarja, i dyshuari vazhdon të jetë në arrati.
Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se po bashkëpunojnë me Policinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.