Detaje të reja rreth vrasjes me eksploziv në Gjakovë
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, kanë dhënë detaje rreth vrasjes me eksploziv që ndodhi në mëngjesin e sotëm në Smolicë të Gjakovës.
Lidhur me vrasjen me eksploziv të H.A. në Smolicë të Gjakovës, është kontaktuar Policia dhe Prokuroria e Gjakovës për të kuptuar nëse ka ndonjë pistë që do të çonte tek autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit në derën e oborrit të shtëpisë së viktimës.
Komandanti i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Krist Gjokaj, ka deklaruar se trupi i viktimës është në obduksion dhe se janë në pritje për të mësuar rrethanat e ngjarjes.
“Aktualisht nuk kemi as të dyshuar dhe as të arrestuar. Trupi i viktimës është në obduksion për të mësuar rrethanat e ngjarjes. Më tutje nuk kam koment, sepse mund t’i dëmtoj hetimet”, ka deklaruar Gjokaj për “kallxo.com”.
Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, ka thënë se ende nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar lidhur me rastin.
“Ende nuk ka asnjë person që është cilësuar si i dyshuar dhe asnjë person nuk është arrestuar në lidhje me rastin e shpërthimit të bombës në Gjakovë”, ka deklaruar ai.
Një person me inicialet H.A i moshës 61-vjeçare, ka mbetur i vdekur si pasojë e shpërthimit të eksplozivit në derë të shtëpisë së tij, në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Smolicë të Gjakovës.