Detajet e reja për smartfonin e lirë me procesor të shtrenjtë
Së fundmi, po raportohet se kompania e njohur kineze Xiaomi do të prezantojë së shpejti serinë e re të smartfonave e quajtur Pocophone.
Pocophone, thuhet se do të prezantohet me modelin Pocophone F1 i cili do të vijë me procesor të teknologjisë së fundit – Snapdragon 845, transmeton Koha.net. Ky smartfon i ri konsiderohet si smartfoni më i lirë me procesor Snapdragon 845.
Pocophone F1, pritet të jetë në dispozicion në Europën Lindore dhe pastaj në Indi me emër tjetër.
Tani, sipas dokumentit nga certifikimi i Bluetoothit, procesori nuk do të jetë e vetmja arsyeja e shitjes së kësaj pajisjeje. Pocophone F1 do të vijë me disa specifika dhe veçori interesante, duke përfshirë ftohjen e procesorit me lëngë.
Gjithashtu, raportohet se Pocophone F1 do të jetë në dispozicion në version me 6 GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme dhe 8 GB RAM me 128 GB memorie të brendshme, përcjell Koha.net. Në pjesën e pasme, F1 do të ketë kamerën kryesore të dyfishtë prej 12 + 5 megapikselë, ndërsa kamerën e përparme prej 20 megapikselë, e cila vjen me teknologjinë e quajtur Super Pixel.