‘Deva Tours’: Me trishtim e dhimbje të madhe po e përjetojmë çdo sekondë të tragjedisë së djeshme
Dhjetë persona kanë humbur jetën tragjikisht të dielën si pasojë e një aksident trafiku që ka ndodhur i në Kroaci, kur një autobus me mërgimtarë ishte nisur drejt Kosovës nga Gjermania.
Për këtë ngjarje, stafi i “Deva Tours”, kompanisë turistike me autobusin e së cilës po udhëtonin bashkatdhetarët, ka theksuar se kjo tragjedi do t’i përcjellë gjatë gjithë jetës.
“Të dashur familjarë dhe të afërm të pasagjerëve, vëllezër dhe motra, me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojmë çdo sekondë të tragjedisë së djeshme e cila do të na përcjellë gjatë gjithë jetës! Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për ta përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashkëndjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkudhëtuar shumë herë. Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit, dhe po ashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, punëtor i zellshëm dhe i kompletuar. Pranoni edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta!”.
“Duke ju falënderuar organeve të shtetit Kroat dhe Kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje. Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre. Pranë jush me dhimbje te madhe, ‘Deva Tours’”, është thënë në reagimin e “Deva Tours”.